Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi ankohen te Ombudspersoni i Speciales, kjo është arsyeja

Prishtinë | 27 Pri 2022 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Ish -Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish -kryeparlamentari Kadri Veseli, ish -zyrtari lartë i NISMA’s Jakup Krasniqi dhe ish -Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, të cilët po përballen me akuza për krime lufte në Hagë, kanë vendosur nënshkrimet e tyre në një letër të cilën ia kanë drejtuar Ombudspersonit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera.

Sipas një letre që Gazeta Express thotë se e ka siguruar nga burime ndërkombëtare, ish krerët e UÇK’së rikujtojnë se Dhomat e Specializuara, janë krijuar që pretendimet e Raportit të Dick Martyt, të marrin një përgjigje adekuate, janë ankuar se procesi ndaj tyre po përcillet me parregullsi.

Katërshja e UÇK ‘së ankohet se Specialja nuk janë duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe theksojnë se po tenton të imponojë standarde tjera juridike duke potencuar se kjo “përbën shkelje flagrante të parimit juridik, lirive, si dhe të drejtave të njeriut”.

“Mungesa e plotë e mbikëqyrjes demokratike rrezikon të shndërrojë këtë gjykatë në institucion të dirigjuar dhe jo institucion drejtësie që mbështetet në fakte e dëshmi” thuhet tutje në ankesën e Thacit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

Tutje, ish – zyrtarët e lartë të shtetit dhe UÇK ‘së kanë përmendur “vonesat e stërzgjatura të procesit, materialet e vonuara, redaktimet e tepruara” duke thënë se kjo e vonon procesin gjyqësor dhe rrezikon parimin e barazisë të palëve në proces.

Sipas tyre me këtë dinamikë procesi mund të zgjasë deri në 10 vjet.

“Prokuroria tanimë në dosjen paraprake ka propozuar 326 dëshmitarë dhe 1863 orë ballafaqim gjyqësor. Nëse vlen parimi i barazisë së palëve, atëherë në variantin optimial ky proces nuk mund të përfundojë para një dekade. Një vazhdimësi e tillë do të cenonte parimin e drejtësisë të vërtetës” thuhet në letrën e tyre.

“Drejtësia dhe e vërteta duhet të jenë të vetmet parime në funksionimin e dhomave të specializuara të Kosovës. Çdo veprim tjetër përbën shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut”

Të ngjashme