Thaçi: Viktimat e krimit të trajtohen me dinjitet e profesionalizëm

Prishtinë | 30 Tet 2017 | 10:29 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për herë të tetë me radhë ka filluar “Java për të drejtat e viktimave të krimit”, e cila organizohet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e që ka për qëllim nderimin e viktimave dhe ngritjen e vetëdijes për të drejtat e tyre, raporton Ekonomia Online.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh se viktimat e krimit duhet të trajtohen me dinjitet e profesionalizëm, duke bërë thirrje për zbatimin e ligjit për kompensim të tyre.

“Ftojë të gjitha autoritetet kompetente, që karshi obligimeve kushtetuese dhe ligjore të sigurojnë që viktimat e krimit të trajtohen me profesionalizëm, duke respektuar të drejtën në siguri, dinjitet, jetën private e familjare të tyre dhe duke njohur ndikimin negativ të krimit në viktimat e krimit”.

”Në këtë drejtim duhet cekur të rëndësishëm ligjin për kompensimin e viktimave të krimit. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të orientuara në krijimin e kushteve në mbrojtjen  e viktimave të krimit”.

”Zotohemi se do të vazhdojmë angazhimin që Republika e Kosovës t’i mbrojë, avancojë të drejtat e njeriut në përgjithësi e po ashtu dhe viktimat e krimit. Uroj që në vazhdim në shtetin tonë të kemi gjithnjë e më pak viktima të krimit”.

Lumezi: Shumë shpejt fillon kompensimi i viktimave të krimit

Gjatë një viti në zyrën për mbrojtjen e viktimave në kuadër të Zyrtares së Prokurorisë së Shtetit paraqiten për ndihmë mijëra raste të krimit, shumica prej të cilave viktima të dhunës në familje.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se të drejtat e viktimave të krimit janë të garantuar me Kushtetutë e ligje.

Ai ka falënderuar ambasadën e ShBA-së për ndihmën e dhënë në kompensimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit.

Për kompensim, Lumeiz tha se Qeveria ka nxjerrë akte nënligjore dhe ka themeluar komisionin për kompensimin e viktimave të krimit.

“Është emëruar komisioni për kompensimin e viktimave në kuadër të Ministrisë se Drejtësisë dhe janë ndarë mjete buxhetore. Viktimat e krimit po hyn ngadalë në të drejtat e njeriut, po hyn ngadalë po marrin trajtimin e duhur në kuadër të institucioneve të Kosovës”.

Lumezi tha se së shpejti do të kemi rastet e para të kompensimit të viktimave të krimit, raporton EO.

“Së shpejti do të kemi dhe rastet e para që do të përfitojnë sipas Ligjit për Kompensimin e Viktimave. Viktimat e krimit janë një kategori e cila duhet të ketë mbrojtje dhe përkrahje të nevojshme”

Lumezi garantoi se institucioni që drejton është në shërbim të mbrojtjes së viktimave të krimit. Lumezi u ka bërë thirrje prokurorëve që t’i zbardhin rastet e viktimave të krimit, ngase sipas tij roli i prokurorëve është esencial në këtë drejtim.

“Ju bëjë thirrje prokurorëve që t’i zbardhën rastet e viktimave të krimit, dhe zbardhja e krimeve ju jep shpresë këtyre viktimave, prandaj mbrojta e të drejtave të viktimave nuk mund të behët vetëm nga një institucion, por, nga të gjitha”, tha kryeprokurori Lumezi.

“Kjo drejtësi dhe rimëkëmbë e viktimave të krimit mund të arrihet nëse kemi një sistem drejtësie efikas, duke i goditur grupe kriminale që pengojnë zhvillimin. Viktimat e krimit të reagoni ndaj trajtimit dhe dhunës në familje, kërcënime fizike dhe psikologjike. Pres të ju shërbeni viktimave të krimit kur kërkojnë ndihmë në prokurori. Prokurorët e shtetit duhet të sigurojnë qytetarët, pikërisht ligji qe e bën qytetarin të lirë. ta mbrojmë në pronë, ta zhvillojnë pronën, biznesin”.

“Mbrojtja e drejtave të viktimave nuk mund të arrihet nga një institucion i vetëm, por të kontribuojnë komunitetet për te bërë jetën e tyre me të drejtat e tyre, të trajtohen viktimat me dinjitet dhe kujdes, kompensimin e dëmit, me qëllim largimin të pasojave të mëtejshme”.

Tahiri: Kemi realizuar kompensimin e parë të një viktime të krimit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahir,i ka bërë të ditur se në shtator të këtij viti, Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit ka bërë kompensimin e parë të një viktime të krimit.

“Trajtimi adekuat i viktimave të krimit, një kategorie veçanërisht të cenueshme të vendit, reflekton integritetin moral të shoqërisë sonë dhe do të jetë prioritet kyç i punës sime. Në muajin shtator, në kuadër të Programit të Kompensimit të Viktimave të Krimit që e kemi lansuar së fundi, Komisioni për kompensimin e viktimave të krimit, ka trajtuar kërkesën e parë për kompensim dhe e njëjta është aprovuar konform kushteve të plotësuara sipas dispozitave ligjore”.

“Është jetike që në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, jo vetëm të luftojmë dhe parandalojmë krimin, por edhe t’u ofrojmë përkrahje dhe mbrojtje të gjithë personave që bien viktima të krimit”.

Delawie: Kompensimi u mundëson viktimave të krimit të mos viktimizohen për herë të dytë

Në maj të këtij viti është lansuar programi i kompensimit të viktimave të krimit. Realizimi i këtij programi është bërë i mundur falë mbështetjes që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ua ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë dhe organeve të tjera të drejtësisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie tha se kompensimi i këtyre viktimave do të ishte një hap i rëndësishëm.

“Duke siguruar që viktimat do të marrin kompensim për të ndihmuar ata që të paguajnë faturat mjekësore dhe humbjet financiare që vijnë nga krimi, do të thotë se ata nuk do të viktimizohen për herë të dytë”.

Delawie, tha se probleme të tilla ka edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Edhe në ShBA kemi të tilla probleme dhe na është dashur shumë punë për të trajtuar këto raste. Edhe këtu do të duhet që qeveria të japë përkrahje të veçantë për këto raste. Nuk arrihet drejtësia nëse nuk ka drejtësi për viktimat e krimit”.

Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme, tha se viktima e krimit në aspektin juridik flet për ata persona që kanë pësuar dhunë fizike.

“Të gjitha forcat e drejtësisë duhet të angazhohen në trajtimin e rasteve dhe të merren në konsideratë nevojat e viktimës. Ka nevojë për ngritjen e efikasitetit për këto raste dhe të avancohen të drejtat e viktimave”.

Në kuadër të “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, ndër temat kryesore që do të diskutohen, janë ajo për kompensimin e viktimave të krimit.

Lidhur me rolin e kompensimit të viktimave do flasë kryetarja e komisionit Nesrin Lushta. Ndërsa, për rolin e mbrojtësit të viktimave në realizimin e të drejtës për kompensim do të flasë Gena Castro Rodriguez, Mbrojtëse e Viktimave, Prokuroria e Qarkut nga San Francisko.

Temë tjetër për të cilën do të prezantojë Sevdije Morina, Kryeprokurore e Shtetit, do jetë ajo për viktimat e dhunës dhe trajtimi i tyre në procesin penal, raporton EO.

Kurse për praktikat e trajtimit të këtyre rasteve në ShBA do të flasë Elizabeth Aguilar Tarchi, Prokurore, Prokuroria e Qarkut, San Francisko.

Në kuadër të aktivitetit “Java për të drejtat e viktimave të krimit”, do trajtohen edhe një sërë temash që ndërlidhen me rolin e gjyqësorit dhe prokurorisë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.


Të ngjashme