Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së bashku me amabsadoren e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitakun, ai ka bërë nderime në varrezat ushtarake amerikane në Arlington.
“Rikthimi në Kompleksin e Varrezave Ushtarake në Arlington të SHBA-së është gjithmonë një moment emocional dhe reflektimi. Qindra mijëra ushtarë të vrarë amerikanë, me sakrificën e tyre kanë ridefinuar dashurinë për lirinë, për atdheun dhe e kanë shndërruar atë në frymëzim për botën”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Tutje ai ka thënë se për të njëjtat vlera ka sakrifikuar edhe populli i Kosovës.
“Ne, asnjëherë nuk do të harrojmë sakrificën e ushtarëve amerikanë në çlirimin e Kosovës dhe në sigurimin e paqes në botë”, përfundoi ai.
Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme Thaçi ka qëndruar në Vatikan ku u takua me Papa Françeskun.