Thaçit i refuzohet edhe kërkesa e dytë për ta vizituar babain në Kosovë

Prishtinë | 26 Shk 2025 | 22:17 | Nga Ekonomia Online

Hashim Thaçit iu është refuzuar kërkesa e dytë për vizitë humanitare në Kosovë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masslot në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Thaçi kishte kërkuar përmes mbrojtjes së tij lirimin e tij të përkohshëm në Kosovë për një ditë në mënyrë që të iu mundësohet ta vizitojë babain e tij.

Sipas mbrojtjes, babai i Thaçit ka pësuar një keqësim të gjendjes shëndetësore që nga vendimi i parë për refuzimin e vizitës në Kosovë në janar të këtij viti.

Vendimi thotë se mbrojtja ka parashtruar se babai i Thaçit është shtruar në spital në shkurt të 2025-ës, raporton betimi për drejtësi.

“Ndërkohë që babai i tij është shpërndarë nga spitali, ai është pranuar për shërbim mjekësor [REDAKTUAR] dhe është vërejtur [REDAKTUAR] gjatë shtrimit në spital.Mbrojtja thekson se babai i Z. Thaçi ka pasur [REDAKTUAR], që është [REDAKTUAR] për shkak të moshës dhe gjendjes së tij shëndetësore të përgjithshme. Gjithashtu, mjeku i tij trajtues ka vlerësuar se [REDAKTUAR]. Z. Thaçi është i shqetësuar se gjendja e babait të tij mund të [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, mbrojtja ka propozuar edhe vendin e vizitës e po ashtu se kush mund të jetë shoqërues, informata këto të cilat janë të redaktuara.

“Mbrojtja kërkon që vizita të bëhet në [REDAKTUAR] dhe të jetë e shoqëruar nga [REDAKTUAR]”, thuhet tutje në vendim.

Kurse, Administratorja ka theksuar se babai i Thaçit nuk është aktualisht në spital dhe se Thaçi ka mundësi që të qendrojë në kontakt të ngushtë me të përmes videotelefonatave.

Ndërsa në vendimin e saj, gjyqtarja ka kujtuar se liria e përkohshme për arsye humanitare është masë përjashtuese.

Të ngjashme