Thashethemet rreth vaksinës: çipat dhe ndryshimi i ADN-së

Prishtinë | 16 Nën 2020 | 21:43 | Nga Ekonomia Online

Lajmet për vaksinën që rezultoi me efikasitet prej 90 për qind në testimet klinike te personat e infektuar me COVID-19 kanë sjellë një mal thashethemesh kundër vaksinës në mediat sociale.

Kemi gjetur disa nga deklaratat e rreme më të përhapura: rreth komploteve që pretendojnë se do të vendosin çipa në trup të njerëzve, riinxhinierimit të supozuar të kodit tonë gjenetik dhe rreth sigurisë.

Bill Gates dhe deklaratat për çip

Bill Gates është bërë trend në Twitter këtë javë pas shpalljes së vaksinës.

Miliarderi, që është themelues i Microsoftit, ka qenë subjekt i shumë thashethemeve të rreme gjatë pandemisë.

Ai ka qenë cak i tyre për shkak të punës filantropike në shëndetin publik dhe në zhvillimin e vaksinës.

Një nga deklaratat më të shpërndara këtë javë – që ka qenë në qarkullim që nga fillimi i vitit – është se pandemia e koronavirusit është mbulesë e një plani për të vendosur çipa përcjellës në njerëz dhe se Gates qëndron prapa kësaj.

Nuk ka prova për t’i mbrojtur këto deklarata dhe fondacioni “Bill and Melinda Gates Foundation” ka thënë për BBC-në se janë plotësisht të rreme.

Pa marrë parasysh se mungojnë prova, në maj një anketë e “YouGov” me 1,640 njerëz tregoi se 28 për qind e amerikanëve besojnë se Gates ka dashur t’i përdorë vaksinat për të vendosur çipa në njerëz – ku rezultatet tregonin se 44 për qind ishin republikanë.

Deklaratat për ndryshim të ADN-së

Një korrespondente e Shtëpisë së Bardhë për uebasjtin pro Trumpit, “Newsmax”, iu është drejtuar 264,000 ndjekësve të saj në Twitter, duke thënë që të jenë “të kujdesshëm” ndaj vaksinës Pfizer/BioNTech. Emerald Robinson ka shkruar në Twitter: “Përzihet me ADN-në tuaj”.

Frika se vaksina do ta ndryshojë disi ADN-në është një tjetër pretendim që e kemi parë rregullisht në Facebook.

BBC-ja i ka pyetur tre shkencëtarë të pavarur rreth kësaj. Ata kanë thënë se vaksina e koronavirusit nuk do ta ndryshojë ADN-në e njerëzve.

Duket se njerëzit që po shpërndajnë deklarata të tilla e kanë keqkuptuar gjenetikën thelbësisht.

Vaksina është një fragment i materialit gjenetik të virusit – apo RNA.

“Injektimi i RNA-së te një person nuk ka të bëjë asgjë me ADN-në e qelizave njerëzore”, ka thënë prof. Jeffrey Almond nga Universiteti i Oksfordit.

Zëdhënësi i “Pfizer”, Andrew Widger, ka thënë se vaksina e kompanisë “nuk e ndryshon pjesën e ADN-së në trupin e njeriut. Vetëm ia prezanton trupit udhëzimet për të krijuar imunitet”.

Kjo nuk është hera e parë që kemi parë deklarata se vaksina e koronavirusit do ta ndryshojë ADN-në. E kemi hetuar një video të famshme që e ka shpërndarë teorinë në maj.

Një pjesë e keqkuptimit duket se del nga tipi i vaksinës e cila është krijuar. Vaksina Pfizer/BioNTech e përdor teknologjinë e mesenxherit RNA, apo “mRNA”.

Mënyra se si funksionon është duke ia dhënë trupit udhëzimet për ta prodhuar një proteinë që është e pranishme në sipërfaqen e koronavirusit.

Sistemi imunitar pastaj mësohet që t’i njohë e t’i prodhojë antitrupat kundër proteinës.

Në shkrimin e saj në Twitter, Robinson pohonte se teknologjia e vaksinës mRNA “nuk është testuar apo miratuar kurrë më parë”.

Është e vërtetë se kurrë nuk është miratuar ndonjë vaksinë mRNA, por janë bërë disa studime të vaksinës mRNA në njerëz gjatë viteve të fundit.

Prof. Almond thotë se vaksina Pfizer/BioNTech është e para që ka treguar efektshmërinë e cila nevojitet për t’u marrë parasysh për licencim.

Veç pse është teknologji e re, thotë ai, “nuk do të thotë se duhet t’i trembemi”.

Vaksinat e reja kalojnë nëpër kontrollime rigoroze të sigurisë para se të rekomandohen për përdorim të gjithanshëm.

Në testimet klinike të fazës së parë dhe fazës së dytë, vaksinat testohen në numër të vogël vullnetarësh për ta kontrolluar nëse janë të sigurta dhe për ta caktuar dozën e duhur. Në testimet e fazës së tretë ato testohen në mijëra njerëz për ta parë se sa të efektshme janë. Grupi që e ka pranuar vaksinën dhe një grup kontrollues që e kanë pranuar vaksinën rastësisht monitorohen nga afër për reagime të kundërta – efekte anësore. Monitorimi i sigurisë vazhdon madje edhe pasi vaksina licencohet.

Claire Wardle, autore e një raporti të fundit rreth miteve të vaksinës në mediat sociale, thotë se ka “mungesë të të dhënave” rreth temave si teknologjia mRNA – situatë ku ka kërkesa të mëdha për informata, por informatat e besueshme janë në masë të ulët.

“Kjo i lë njerëzit që të jenë të ndjeshëm ndaj dezinformatave, të cilat nguten për ta mbushur zbrazëtinë”, thotë Wardle, drejtoreshë ekzekutive e organizatës jofitimprurëse kundër dezinformatave, “First Draft”.

“Përderisa informatat e besueshme kanë vështirësi t’iu përgjigjen kërkesave, llogaritë individuale të pasigurta dhe rrjetet e lajmeve alternative kanë mundësi ta ulin besimin ndaj vaksinës”, thotë ajo.

Deklaratat për efektet anësore

Një tjetër deklaratë në shkrimin e Robinsonit në Twitter ishte në mesin e shkrimeve më të shpërndara kundër vaksinës këtë javë.

Sipas saj, 75 për qind e të vaksinuarve kanë pasur efekte anësore. Por “Pfizer” dhe “BioNTech” kanë raportuar se nuk ka shqetësime rreth sigurisë në testimin tuaj.

Shumë vaksina kanë efekte anësore. Por shumica prej tyre nuk janë as për së afërmi të frikshme sikurse aktivistët kundër vaksinës po mundohen të na bëjnë të besojmë.

“Sikur të gjitha vaksinat, edhe kjo vaksinë mund të shkaktojë efekte anësore afatshkurtra, si p.sh. dhimbje në pjesën e injektimit, temperaturë, dhimbje muskujsh, kokëdhimbje dhe plogështi”, ka thënë dr. Penny Ward, profesor i mjekësisë farmaceutike në “King’s College London”.

Prof. Ward ka vënë në pah se këto lloj efektesh anësore paraqiten gjithashtu edhe te një numër i lartë i njerëzve që marrin vaksinat e përvitshme të gripit. Efektet anësore zakonisht janë të lehta, largohen pas pak ditësh më së shumti dhe mund të trajtohen me paracetamol apo ibuprofen.

Është e paqartë se ku e ka marrë Robinson shifrën prej 75 për qind, por mund të jetë zgjedhur një pjesë nga shkalla e efekteve anësore të lehta që është raportuar në një grup moshe, në një fazë më të hershme të testimit.

Të dhënat e plota rreth efekteve anësore nuk janë publikuar ende për fazën e fundit të testimit, por “Pfizer” e ka konfirmuar se nuk kanë vërejtur efekte anësore serioze.

BBC-ja e ka kontaktuar Emerald Robinsonin dhe ajo ka qëndruar prapa deklarimeve të saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme