I plagosur dhe nën zjarr në vitin 1998, Ramush Haradinaj rrëmbeu të vetmen gjë që i erdhi në dorë për të ndalur gjakderdhjen. Ishte një copë djathi. Një vit më parë, vëllai i tij ishte vrarë nga ushtarët serbë disa qindra metra më tej, teksa po kontrabandonin armë përmes maleve nga Shqipëria. Që nga ajo luftë, zoti Haradinaj i ka përkthyer aftësitë për të qëndruar gjallë fizikisht në aftësi për të qëndruar gjallë politikisht. Manovra e tij më e fundit erdhi më 19 korrik, kur zoti Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës, duke thënë se tani ishte i dyshuar në një rast të krimeve të luftës.
Truprojë, marangoz, guerilas dhe politikan, zoti Haradinaj ka pasur një karrierë më të gjallë se shumica. Në një biografi ai flet për përvojën si gueril shqiptar i Kosovës që luftonte ndaj Serbisë plot me dëshirë. Në një incident, kur policët serbë të bllokuar po bënin thirrje për ndihmë, ai tha se “u kujdes për ta në një mënyrë precize, nga një distancë e afërt”. Haradinaj është përndjekur nga akuzat se ai dhe njerëzit e tij kanë kryer krime lufte, duke vrarë serbë dhe shqiptarë që konsideroheshin si bashkëpunëtorë ose rivalë. Ai gjithmonë e ka mohuar çdo keqbërje.
Dorëheqja e zotit Haradinaj sjell një ndjesi deja-vu. Në vitin 2005 ai dha dorëheqjen 100 ditë pasi kishte marrë mandatin e parë si kryeministër, pasi u padit nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në Hagë, ku u burgos gjatë gjykimit. Ai u lirua, por prokuroria pretendonte se ai i frikësonte dëshmitarët, diçka që e ai e ka mohuar. Prokurorët apeluan dhe ai u paraqit përsëri në gjyq, për t’u liruar sërish. Në vitin 2017, ai u arrestua në Francë me një urdhër serb dhe u mbajt atje për gati katër muaj. Pastaj francezët e liruan: arrestimi i tij ia rriti popullaritetin në shtëpi.
Më 24 korrik, Haradinaj u mor në pyetje nga një gjykatë e posaçme e Kosovës, e cila u krijua me një staf ndërkombëtar në Hagë pas një raporti të Këshillit të Europës në vitin 2010, ku akuzoheshin disa guerilas kosovarë se kanë kryer krime lufte. Në raport, Haradinaj përmendet vetëm në një shënim, por më i shquar është Hashim Thaçi, president i Kosovës.
Të dy kanë qenë rivalë prej kohësh. Gjatë vitit të shkuar, zoti Thaçi diskutoi një marrëveshje të mundshme me Aleksandar Vuçiç, presidentin serb, e cila mund të përfshinte heqjen dorë nga pjesa veriore e Kosovës e banuar nga serbët në shkëmbim të pjesës së banuar nga shqiptarët në jug të Serbisë. Zoti Haradinaj argumenton se kjo do destabilizonte të gjithë rajonin. Nëntorin e shkuar, Serbia ndaloi me sukses Kosovës, të cilën nuk e njeh, që të bashkohej me Interpolin për herë të tretë. Haradinaj u hakmor duke vendosur një tarifë prej 100 përqind ndaj importeve serbe, dhe Serbia pezulloi bisedimet. Me zgjedhjet serbe vitin që vjen, ato nuk kanë gjasa që të rifillojnë deri pas tyre.
Vetëm për shkak se është thirrur për t’u pyetur në Hagë, nuk do të thotë që Haradinaj do të paditet, thekson Jeta Xharra, një gazetare e njohur kosovare. Shumë spekulojnë se prokurorët po thërrasin shumë prej guerilëve të vjetër, duke shpresuar të thyejnë ndonjërin. Por, thotë zonja Xharra, pasi gjykata e ka gjykuar dy herë zotin Haradinaj dhe nuk e ka dënuar, nuk ka gjasa që kjo gjykatë të ketë sukses.
Tani për tani, Haradinaj është akoma kryeministër në detyrë. Nuk duket se mund të mblidhet një qeveri e re, kështu që zgjedhjet ndoshta do të zhvillohen në vjeshtë. Zoti Haradinaj është një mjeshtër i kaluar në rrëmbimin e fitores nga nofullat e humbjes. Pavarësisht premtimeve të tij, kosovarët akoma nuk udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza (edhe pse Kosova ka plotësuar kërkesat europiane). Ai e ka dyfishuar pagën e tij, kur vendi mbetet i varfër dhe i izoluar. Por me vendimin e tij për të shkuar në Hagë, ai e ka kthyer vëmendjen elektorale sërish tek lufta. Ardian Gjini, një aleat i ngushtë, thotë se jo për herë të parë, një sfidë i ka dhënë atij ‘krahë politikë’.