The Economist: Ky është plani Thaçi – Vuçiq për kufijtë

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 10:50 | Nga

Gazeta prestigjioze britanike, The Economist, i ka dedikuar një artikull ideve të fundit për korrigjim kufijsh në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në artikull thuhet se plani i vërtetë i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq mund të jetë njohja e Kosovës si shtet nga Serbia me një autonomi serbe brenda saj.

“Fundi i luftërave jugosllave 20 vjet më parë la qindra mijëra njerëz nëpër vende që nuk i konsideronin si të tyre. Por paqeruajtësit vlerësuan se riorganizimi i kufijve do të çonte vetëm në konflikte të tjera”.

“Si rezultat, rreth 120,000 serbë mbetën në Kosovën e dominuar nga shqiptarët etnikë si dhe 60,000 shqiptarë etnikë jetojnë në luginën e Preshevës në Serbi. Ka kohë që disa liderë lokalë janë të etur për një shkëmbim territoresh, mirëpo deri kohët e fundit BE dhe Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë këtë opsion”.

“Mirëpo tash kjo ka ndryshuar. Thuhet se Federica Mogherini dëshiron një njohje reciproke midis dy vendeve deri në fund të mandatit të saj si përfaqësuese e lartë e BE dhe një shkëmbim territoresh mund të jetë një nga mënyrat për të arritur një gjë të tillë”, shkruan “The Economist”.

Siç shkruan më tej kjo gazetë, Amerika nuk e kundërshton më këtë ide dhe se kjo është vërejtur me deklaratën e këshilltarit për siguri kombëtare, John Bolton.

“Zyrtarët serbë dhe kosovarë gjithashtu janë të interesuar për një gjë të tillë para zgjedhjeve parlamentare evropiane që do të mbahen në maj të vitit 2019. Kjo për arsye se zgjedhjet mund të sjellin një komision me ide populiste që është kundër zgjerimit”.

“Sidoqoftë, shumë analistë besojnë se Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq në të vërtetë nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë kufijtë. Por ideja e krejt kësaj është një autonomi serbe brenda Kosovës në shkëmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti Serb. Në këtë mënyrë të dyja palët do mund të thonin se kanë ruajtur territorin e tyre të çmuar.

“Mirëpo, nëse kufijtë vërtet ri-organizohen, atëherë çfarë do të ndodhë me kufirin e Maqedonisë që ndodhet pak kilometra më larg, ku një e katërta e popullsisë është shqiptare? Dhe ç’të themi për Bosnjën, ku lideri serb, Milorad Dodik, dëshiron pavarësi nga Bosnja duke përdorur qëllimisht një gjuhë të paqartë. Dodik thotë se serbët e rajonit duhet të marrin nga fqinjët e tyre atë që u takon”.

I pyetur rreth rrezikut që sjell kjo ide, Shaip Kamberi i cili është kryebashkiak shqiptar i Bujanocit në luginën e Preshevës ka thënë: “Nuk jemi ne ata që po hapim Kutinë e Pandorës. Ne jemi vetë kutia!”/klankosova.tv/.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme