The Times: Diplomatët e huaj flasin keq për Albin Kurtin privatisht

Prishtinë | 05 Qer 2023 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës e ka dukjen e një nxënësi të shkollës që është lënduar sepse ka menduar që ka bërë gjithçka mirë për t’u përshtatur e megjithatë e kupton se askush s’e do.” – nis artikulli i The Times në intervistën me kryeministrin Albin Kurti.

Ky artikull titullohet “Nuk do t’i kënaq miqtë e Putinit, thotë kryeministri i Kosovës.”

Tutje vazhdohet duke treguar se si kryeministri Kurti është “i papenduar” për veprimet e tij, derisa tregohet se si është ndëshkuar nga ShBA-të me përjashtim të FSK-së nga një ushtrim i udhëhequr nga NATO.

“Na vyen ndihma e ShBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Por kjo ndihmë nuk duhet të jetë në drejtimin e kënaqjes së autokratëve.” – i ka thënë z. Kurti, kësaj gazete.

Më tutje, shkruhet kjo fjali:

“Por, (kriza e fundit) nuk e ka vënë vetëm Kurtin kundër Vuçiqin, por e ka vënë edhe Kurtin kundër forcave që me intervenimin e tyre ushtarak kundër ish-liderit serb Sllobodan Millosheviq më 1999, çuan drejt pavarësisë së Kosovës.”

Tutje, gazetar përshkruan krejt zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe veprimet e kryeministrit Kurti që sipas tyre kanë bërë që ai të denoncohet ashpër nga zyrtarët perëndimorë, edhe më ashpër se fjalët që i kemi dëgjuar në publik.

“Emisarët e Perëndimit shpërthyen, duke e quajtur Kurtin të papërgjegjshëm, dhe privatisht, edhe më keq.”

Por, Kurti duket se ia tha të njëjtat fjalë gazetarit Richard Spencer në Prishtinë.

“Diplomatët thonë që Kurti, 48 vjeçar, që garoi me premtimin për anti-korrupsion, po provon ta bëjë veten si Zelenskyin e ri. Ata thonë që Kosova është shumë ndryshe nga Ukraina, enklava serbe më shumë si Irlanda e Veriut se sa si Donbasi. Të kërkosh nga serbët që ta harrojnë Beogradin është njësoj si të kërkosh nga katolikët irlandezoveriorë që ta harrojnë Dublinin.” – shkruan tutje Spencer.

Por pritni, ka edhe më keq:

“Kurti është në mohim në lidhje me fuqinë e ndjenjave në veri, thonë ata, dhe duke i quajtur bandat që sulmuan zyret komunale si “milici fashiste” ai po i çon serbët e zakontë në radhët e tyre.”

Kurti ditët e fundit ka bërë intervistë për një numër të madhe mediesh prestigjioze, përfshirë BBC e CNN. Për dallim nga ato intervista, këtë të fundit ai nuk e ka shpërndarë deri tash në profilet e tij në rrjete sociale.

Të ngjashme