The Weeknd e kishte quajtur Akademinë “Grammy” të korruptuar pasi kishte kuptuar se albumi i tij “After Hours” ishte injoruar në çdo kategori të nominimeve për ceremoninë e këtij viti.
Hidhërimi i artistit të madh amerikan nuk ka përfunduar ende pasi ai së fundmi ka deklaruar se çmimet e tij të mëparshme nga kjo Akademi “nuk kanë më rëndësi për të”, duke folur në një intervistë për Billboard.
“Personalisht nuk më intereson më. Kam tri “Grammy” të cilat nuk kanë rëndësi për mua tani”, deklaroi këngëtari dhe tekstshkruesi 30 vjeçar.
The Weeknd, emri i vërtetë i të cilit është Abel Makkonen Tesfaye ka fituar Grammyt e tij të parë në vitin 2016 në kategorinë “Best Urban Contemporary Album” për albumin “Beauty Behind The Madness” e po ashtu në kategorinë “Best R&B Performance”, për këngën “Earned It”.
Në ceremoninë e vitit 2017 ai kishte fituar çmimin në kategorinë “Best Urban Contemporary Album” për albumin e tij “Starboy” i cili deri më tani është edhe albumi i tij më i suksesshëm.
The Weeknd, në intervistën e tij për Billboard ka thënë se deklaratat e tij për Akademinë nuk ishin kërkesa për të fituar me doemos por ishin thirrje për drejtësi.