Thellohet kriza në Mozambik, shënohen rastet e para të kolerës

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Pesë raste të kolerës janë shënuar në qytetin e Beiras në Mozambik, duke e ndërlikuar edhe më shumë situatën emergjente që është shkaktuar nga vërshimet masive.

Njoftimi për shfaqjen e pesë rasteve të kolerës erdhi disa ditë pas shprehjes së shqetësimit se kjo sëmundje dhe disa të tjera mund të shfaqen për shkak të kushteve atmosferike, vërshimeve dhe papastërtisë në të cilën po jetojnë dhjetëra mijëra njerëz që nga shfaqja e ciklonit Idai më 14 mars. Në këtë fatkeqësi natyrore kanë vdekur të paktën 700 njerëz.

Ussene Isse, drejtor kombëtar për asistencë mjekësore, tha se rastet e para të kolerës u konfirmuan në Munhava, një nga zonat më të varfra të qytetit Beira. Në këtë qytet jetojnë rreth gjysmë milioni banorë, ndërsa autoritetet ende po përballen me vështirësi  për të siguruar ujë të pijes.

“I kemi bërë testet laboratorike dhe mund të konfirmojmë se këta pesë njerëz kanë dalë pozitivë në sëmundjen e kolerës. Sëmundja do të përhapet. Kur paraqitet një rast, mund të presim raste tjera në komunitet”, tha ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë do t’i dërgojë 900 mijë vaksina kundër kolerës në zonat e prekura nga vërshimet. Pritet që kjo dërgesë të arrijë në Mozambik në fund të kësaj jave. Besohet se një sipërfaqe prej tre mijë kilometrash katrorë ndodhet nën ujin e vërshimeve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme