Kamioni që shkaktoi aksidentin e rëndë në Gjilan, ku mbeti i vdekur Qerim Çoçaj dhe u lënduan 23 persona të tjerë, dyshohet se nuk kishte regjistrim dhe nuk i punonte sistemi i frenimit. Nën këto dyshime, Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar pronarin e firmës së cilës i përkiste kamioni i përfshirë në aksident.
Lidhur me aksidentin që ndodhi në Gjilan të enjten është arrestuar pronar i firmës së cilës i përkiste kamioni i përfshirë në aksident.
Ai është arrestuar me dyshimin se automjetit transportues nuk i ka punuar sistemi i frenimit dhe i njëjti nuk është i regjistruar dhe nuk posedon në kontroll teknike.
“… është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pronar i firmës së cilës i përkiste kamioni i përfshirë në aksident, me dyshimin se automjetit transportues nuk i ka punuar sistemi i frenimit dhe i njëjti nuk është i regjistruar dhe nuk posedon kontroll teknike. I dyshuari pas intervistimit me vendimin e prokurorit, dërgohet në qendrën e mbajtjes”, njofton Policia në raportin 24 orësh.
Ndryshe, kamioni transportues ishte në shpejtësi të madhe dhe ka goditur gjithçka para vetes, duke shkaktuar aksident zinxhiror dhe shumë dëme në qytet.
Nga goditjet e kamionit ka mbetur i vdekur një person, dhe mbi 20 të tjerë kanë marrë lëndime. Disa prej të lënduarve po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e disa të tjerë të cilët janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, janë dërguar në QKUK. /Gazeta Express