“Thembër e Akilit”, njohësi i çështjeve kushtetuese për Asociacionin: Qeveria Kurti të mos ndërrojë pozicion

Prishtinë | 02 Nën 2021 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Marrëveshja e arritur në Bruksel gjatë vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë për të themeluar Asociacionin e komunave serbe po vazhdon të jetë temë diskutimi edhe sot e kësaj dite.

Kjo marrëveshje e nënshkruar, por jo e vendosur në praktikë, parasheh që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë.

Ani pse e nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, një gjë e tillë nuk po pranohet nga qeveria e tanishme që udhëhiqet nga Albin Kurti.

Njohësi i çështjeve kushtetuese e politike Mazllum Baraliu, në një bisedë për Gazetën Online Reporteri.net, ka thënë se Asociacioni me shumicë të komunave serbe është “thembër e Akilit”. Ai ka shtuar se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe si e tillë nuk duhet të bëhet.

“Asociacioni me shumicë të komunave si e quajnë ata serbe është një thembër e Akilit që faktikisht e kanë pranuar qeverisjet e mëhershme, dihet cilat, ajo e Thaçit dhe Mustafës. Por, nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë për arsye se e defunksionalizon totalisht Kosovën si shtet. Dhe Asociacioni si i tillë, se disa po thonë se është paraparë me Kushtetutë e të tjera, nuk është paraparë ashtu që të bëhet me kompetenca ekzekutive, nuk është paraparë siç e kanë lejuar dhe pranuar në dy marrëveshje këta përpara në baza etnike, sepse edhe decentralizimi në baza etnike që është pranuar nga Ahtisaari dhe nga këta tanët në ligjin për qeverisje lokale është në fakt një gangrenë e pashërueshme e sistemit politik edhe lokal, edhe përgjithësisht në Kosovë sepse në mënyrë simetrike lejon që komunat me shumicë serbe të kenë kompetenca gati shtetërore. Pra shkurt nuk duhet të bëhet, nuk ka nevojë që të pranohet sepse është një marrëveshje e dëmshme që është lidhur. Dhe shtetet sovrane, ne e konsiderojmë vetën shtet sovran, jemi të pavarur, jemi të pranuar nga 114 shtete të botës”, ka thënë Baraliu.

Tutje, Baraliu ka theksuar se ani pse kjo marrëveshje është nënshkruar nga qeveritë e kaluara, qeveritë e tjera kanë të drejtë që ta përmirësojnë.

“Pa marrë parasysh që Daçiqi që thotë se janë tërheq e s’janë tërheq, nuk duhet pranuar sepse marrëveshjet e dëmshme, shtetet sovrane edhe nëse i pranojnë në momente të caktuara, edhe nëse i nënshkruajnë qeveritë e caktuara, qeveritë e tjera të radhës kanë të drejtë që të përmirësojnë gabimet e tilla. Pra ne e kemi një ligj për marrëdhëniet ndërkombëtare i cili e thotë qartazi mundësinë, si çdo ligj tjetër, të çdo shteti tjetër normal që marrëveshjet ndërkombëtare mund të lidhen, mund të ndryshohen, plotësohen dhe ndër to mund të tërhiqet shteti. Pra nga ajo marrëveshje gjithsesi duhet që të qëndrojmë larg. Ky agresivitet i Beogradit dhe këtyre gangrenave dhe këtyre elementeve siç është Lista serbe dhe vetë Rakiqi që sillet edhe pse është ministër i imponuar, ai sillet thjesht si një eksponent anti shtetëror i Kosovës. Bashkë me Drecuna e të tjerë thjesht mund të bëjnë zërin e të vetmuarit në shkretëtirë”, ka thënë Baraliu për Reporteri.net.


Profesori universitar ka potencuar se qeveria Kurti po bën mirë që nuk po e pranon Asociacionin. Ai shtoi se duhet “lutur Zotin” që qeveria do të qëndrojë me këtë mendim.

“Sepse Asociacioni, kjo qeveri po bën mirë që nuk po e pranon dhe nuk duhet pranuar, duhet të lusim Zotin që të qëndrojnë në këto pozicione pa marrë parasysh pasojat dhe presionet sepse thjesht ai është gangrenoz, defunksionalizon shtetin e zhbën Kosovën, e bën një Republikë serbe në Kosovë dhe është i papranueshëm si i tillë, prandaj, propozimi që është dhënë nga kryeministri atje në fillimet e kontakteve në Bruksel me Vuçiqin që një këshill nacional i cili është zgjidhja më e mirë që e kanë bërë serbët”, ka thënë Baraliu për Reporteri.net.

Implementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kush është për e kush kundër

Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, rreth dy javë më parë ka deklaruar se nëse nuk formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe deri në fund të vitit ata do të japin dorëheqje nga të gjitha pozitat dhe do të largohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Nëse nuk krijohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe deri në fund të vitit, unë do t’i informoj të gjithë faktorët relevantë se do të largohemi nga të gjitha institucionet e Prishtinës në veri, në të gjitha nivelet”, ka deklaruar Rakiqi.

Lexo edhe: Kosovarët nuk do të mund të hyjnë në Suedi deri në vitin 2022
Një paralajmërim të tillë e ka dhënë javën e kaluar edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun.

Drecun ka thënë se populli serb i është përgjigjur qartë të gjitha masave të njëanshme të Prishtinës me rezultatin e mirë të Listës Serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Andaj, sipas tij, me këtë rezultat serbët kanë treguar se nuk kanë frikë, nga siç tha ai, veprimet e dhunshme të Prishtinës. Me këtë besim që ka fituar Lista Serbe, Drecun thotë se tani janë gati të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk formohet Asociacioni i Komunave Serbe.

“Besimi i lartë që i është dhënë Listës Serbe, pra edhe Beogradit zyrtar, ka treguar se serbët nuk kanë frikë nga asnjë veprim i dhunshëm i Prishtinës, se në të ardhmen do të përgjigjen vetëm ndaj veprimeve të tilla të reja të mundshme dhe kjo është një gjë e mirë. për Listën Serbe, ajo me këtë e konfirmoi fuqinë e saj politike dhe se mund t’i dalë me kërkesë Prishtinës që nëse Asociacioni i Komunave Serbe nuk formohet, së shpejti do të heqin dorë nga pjesëmarrja në institucionet e Kosovës”, ka thënë Drecun, përcjell Reporteri.net.

Edhe SHBA po e kërkon implementim e marrëveshjes për Asociacionin

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan, në një përgjigje për mediat lokale gjatë javës së kaluar, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i respektojnë zotimet e tyre për implementimin e marrëveshjeve paraprake, përfshirë këtu edhe Asociacionin e Komunave Serbe.

“Është thelbësore për Kosovën dhe Serbinë të respektojnë zotimet e tyre duke implementuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme. Kjo përfshin edhe Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë ky zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Tutje në përgjigje është thënë se SHBA-ja nuk ka ndonjë përshkrim për mënyrën se si duhet të zbatohet marrëveshja për Asociacionin apo ndonjë tjetër marrëveshje dhe se kjo çështje është subjekt i asaj se si palët janë marrë vesh mes vete.

“Ne nuk japim ndonjë përshkrim se si kjo marrëveshje, apo ndonjë tjetër, duhet të implementohet. Teknikalitetet e implementimit janë subjekt i marrëveshjes mes palëve”, citohet të ketë thënë ky zëdhënës i DASH.

Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar që të marrë qëndrim nga Qeveria lidhur me këtë çështje, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.

Ndërkaq, sot, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në komisionin për Integrime Evropiane, ka thënë se Asociacioni i komunave serbe është e dëmshme për Kosovën.

Ajo tha se Asociacioni krijon një Bosnjë të dytë në Kosovë.

“Open Ballkan dhe Asociacioni i komunave serbe në Kosovë janë dy tema të cilat i kemi analizuar dhe për Kosovën në këtë formë që janë, janë të dëmshme. Përfaqësitë tona diplomatike, shoqëria civile dhe gjithë ne së bashku dhe të gjithë atyre që kanë interes në një zhvillim të mirë të Kosovës, t’ua shpjegojmë që janë të dëmshme për Kosovën, asociacion i komunave serbe e krijon një Bosnje të dytë në Kosovë, ashtu e gjykoj unë, për mendimin tim”, ka thënë ajo.

Se a do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, kryeministri i vendit Albin Kurti ka dhënë një qëndrim të qartë.

Kurti disa herë e ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk do të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive, ngase për këtë ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Çka parasheh Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Të ngjashme