Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka themeluar Këshillin Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Ministri Besim Beqaj tha se formimi i këtij këshilli buron nga programi i punës së kësaj ministrie.
“Synimi është që inovacioni të jetë në funksion të zhvillimin ekonomik”, u shpreh Beqaj, në një paraqitje për medie, raporton Ekonomia Online.
Ai shpjegoi se ky këshill do t’i ketë 17 përfaqësues nga Qeveria, komuniteti i biznesit, me theks nga sektori i teknologjisë informative, dhe Universiteti i Prishtinës.
Beqaj tregoi se sot u prezantua dhe rregullorja e Këshillit, i cili fushëveprim do të ketë krijimin e politikave për nxitjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Këshilli Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi do të takohet çdo tre muaj.
Beqaj tha se ka mjete financiare të mjaftueshme. “Janë mbi 9 milionë euro të parapara”, tha ministri Beqaj.
Hoxha: Se shpejti, instrumenti i ri, start-up, për bizneset e reja në bashkëpunim me Komisionin Evropian
Në takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e këtij këshilli për politikën qeverisëse dhe procesin integrues.
“Ministria e Integrimit bën koordinimin e asistencës së jashtme për Kosovën dhe në veçanti, fokusi kryesor është te fondet e BE-së, të dhëna në kuadër të Instrumentit të para-anëtarësimit – IPA. Në kuadër të IPA-s, është përkrahur deri më tani inovacioni dhe ndërmarrësia nëpërmjet projekteve individuale, të cilat janë pjesë e sektorit të “Konkurrueshmërisë dhe inovacionit”, ka thënë ministrja Dhurata Hoxha.
Së bashku me ministritë e linjës, theksoi Ministrja e Integrimit znj. Hoxha, jemi duke punuar që të përditësojmë dokumentin planifikues sektorial për konkurrueshmëri dhe inovacion, në mënyrë që të mundësohet përkrahje më e madhe për vitet programuese 2019 dhe 2020. Ne presim, theksoi Ministrja, deri në janar të kompletojmë në tërësi dokumentin, dhe nga ana e ministrive përgjegjëse kërkohet që të japin propozimet e tyre konkrete për aktivitete që do të financohen nga ana e IPA-s, sikurse është kërkuar nga stafi i Ministrisë së Integrimit.
“Në takimin e përbashkët me komisionarin Hahn, ka lindë si ide që të themelohet një instrument për bizneset e reja, start-up. Deri më tani kemi shkëmbyer letra zyrtare për këtë qëllim dhe deri në fund të këtij viti, Zyra e BE-së do të dalë me studimin e gjendjes aktuale, që do të shërbejë si bazë për të hartuar projektet të cilat do të jenë pjesë e programimit të IPA 2019. Këto të dhëna, do të fuzionohen në kuadër të dokumentit planifikues sektorial për konkurrueshmëri dhe inovacion”, theksoi Hoxha, duke shtuar se ky projekt do të jetë në shërbim të të rinjve tanë dhe zhvillimit të ndërmarrësisë.
“Ministria e Integrimit do të jetë e gatshme t’ju përkrah dhe bashkërendojë përpjekjet e institucioneve tona për sa i përket absorbimit të fondeve të jashtme për nxitjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë në Kosovë, dhe ju ftoj për bashkëpunim ndërmjet nesh në këtë drejtim”, theksoi Hoxha.