Themelorja shpall aktgjykim ndaj gjashtë të akuzuarve për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal

Prishtinë | 28 Qer 2024 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarve N.S, M.R, S.A, D.M, Z.J dhe R.B.

I akuzuari N.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak si dhe dënim me gjobë në shumë prej katërmijë e pesëqind euro (4.500 €), për vepër penale të ri, cilësuar nga krimi i organizuar në keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues – konfiskimi i sendeve të përdorura apo të destinuara për të kryer vepër
penale, të cilat u urdhërua që të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I akuzuari M.R është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak si dhe dënim me gjobë në shumë prej dhjetë mijë euro (10.000 €), për vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale vrasje e
rëndë.

E akuzuara S.A, është liruar nga akuza për vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale vrasja e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

I akuzuari D.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vite, për vepër penale në bashkëkryerje keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. I njëjti është liruar nga akuza për vepër penale zbulim i fshehtësisë zyrtare.

I akuzuari Z.J është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vite dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë e pesëqind euro (10.000 €), për vepër penale në bashkëkryerje keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues – konfiskimi i sendeve të përdorura apo të destinuara për të kryer vepër penale, të cilat u urdhërua që të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Për të akuzuarin R.B, u refuzua akuza për vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me vepër penale vrasja e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të akuzuarit M.R, me vendim të veçantë iu caktua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit por duke mos e kaluar dënimin e vërtetuar – shqiptuar me aktgjykim.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore – juridike u udhëzuan në kontest të rregullt civil.

Të akuzuarit S.A dhe R.B, u liruan nga shpenzimet e procedurës për shkak të marrjes së aktgjykimit lirues respektivisht, refuzues ndaj tyre.

Të akuzuarit N.S, M.R, D.M dhe Z.J, secili veç e veç u obliguan të paguajnë shumë prej 350 euro në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe shumë prej 100 euro në emër të Fondit për Kompensim të Viktimave të Krimit, të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.

Palët e pakënaqura me këtë aktgjykim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

Të ngjashme