Një 25-vjeçar pasditen e së mërkurës është therur nga disa persona të panjohur në oborrin e shtëpisë së tij në Istog.
Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, tha për Gazetën Online Reporteri.net se një person është shoqëruar fillimisht në polici, ndërsa më pas dy të tjerë me ftesë janë paraqitur, por që të njëjtit pas verifikimit nuk kanë pasur të bëjnë me rastin në fjalë.
Nikçi tutje shtoi se po punohet intensivisht për të zbardhur rastin, dhe pasi të identifikohen kryesit e veprës do të arrestohen.
“Fillimisht nuk ka qenë askush i arrestuar për këtë rast, mirëpo një person ka qenë i shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjerë i janë përgjigjur ftesave dhe janë paraqitur, pas marrjes së deklaratave nga hetuesit policor janë lënë të lirë për shkak se është bërë verifikimi i vendndodhjes së tyre kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj viktimës. Janë autorizuar Policia e Kosovës që përmes veprimeve hetimore të identifikojnë personin apo personat e dyshuar që kanë kryer kete veper penale ndaj viktimës. Pasi të identifikohet kryesi apo kryesit e kësaj vepre, të njëjtit do arrestohen. Intensivisht është duke u punuar në këtë drejtim”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie.
Të mërkurën, Fadil Gashi, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, bëri të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se 25-vjeçari ishte therur shtatë herë.
I njëjti deklaroi se viktima ishte sulmuar në kokë dhe disa pjesë tjera të trupit, por ishte jashtë rrezikut për jetë.
“Policia rreth orës 17:40 minuta është njoftuar se një person është therur me thikë në oborrin e shtëpisë së vet. Viktima është ther nga persona të panjohur. Pastaj është dërguar në spital dhe mjekët kanë intervenuar dhe sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jetë. Është ther në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit 7 herë”, tha Gashi.