Therjet me thikë në Ferizaj, Skenderi: Viktimat u përkasin komuniteve rom, ashkali dhe egjiptian, të zbardhet qëllimi pas këtij krimi

Prishtinë | 13 Nën 2024 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Isak Skenderi, Drejtor i organizates “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, ka reaguar lidhur me rastin që ndodhi të hënën në Ferizaj, ku një burrë theri me thikë katër persona, përfshirë dy të mitura.

Skenderi ka thënë se viktimat i përkasin komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Ai ka bërë thirrje që të zbardhet qëllimi pas këtij krimi, pasi sipas tij, një model i tillë sugjeron se motivi ka qenë etnik i nxitur nga urrejtja.,

“Ky akt dhune nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Për më tepër, natyra e tij e vërtetë nuk duhet të relativizohet. Sipas raporteve të para, agresori sulmoi kalimtarët te rastit, por të gjithë viktimat i përkasin këtyre komuniteteve minoritare. Një model i tillë sugjeron diçka më të thellë dhe shumë më shqetësuese: një motivim etnik i nxitur nga urrejtja. Autoritetet ta kualifikojnë saktë këtë akt. Çdo jetë ka vlerë, dhe qëllimi pas këtij krimi duhet të zbardhet dhe ndëshkohet përkatësisht”, thuhet në reagimin e tij.

Ai ka theksuar se një nga viktimat ishte vetëm 10-vjeçare, që ishte duke u kthyer në shtëpi nga një dyqan.

“Ajo është një viktimë e pafajshme që tani vuan për shkak të urrejtjes së sëmurë dhe të shtrembëruar të dikujt. Kjo ngre pyetje të vështira: a u sulmua ajo për shkak të përkatësisë së saj etnike? A ishin këto sulme të paramenduara, të kalkuluara në mënyrë që të zgjidheshin anëtarët më të pambrojtur të komuniteteve tona?”, thuhet tutje në reagim.

Skenderi thotë se ky nuk është krimi i parë i urrejtjes ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

“Për një vend kaq të vogël, jemi të mbushur me shumë incidente të motivuara nga paragjykimi etnik dhe intoleranca e thellë. Historia ka treguar se Romët dhe komunitetet e tjera janë mbajtur të margjinalizuar, të mbajtur poshtë në kushte degraduese për të ruajtur sistemet e shfrytëzimit social. Eshtë e pabesueshme qe kjo vazhdon të shfaqet edhe sot – kur komunitetet përdoren si shpërthyes të mllefit dhe urrejtjes. Ne  një shoqëri demokratike, moderne si Kosova, jo çdo qytetar ndihet i sigurt, i vlerësuar dhe i respektuar”, ka shkruar ai.

Të ngjashme