Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar pranimin e fajësisë nga ana e shtetasit algjerian, Taufik Abie, i cili po akuzohet se theu xhamin e një lokali në Prishtinë dhe nga aty mori 6 orë të dorës duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës E.K në vlerë rreth 160 euro.
Një vendim i tillë është marr nga gjykatësi i rastit Gent Beka këtë të mërkurë në seancën fillestare, raporton “Betimi për Drejtësi”
Fillimisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besnik Jakupi i akuzuari pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
“Kërkoj falje e ndjej veten fajtor, e kom bo veprimin nuk kam pas qëllim me bo vjedhje, mirëpo qëllimi ka qenë që të më kap policia dhe të kthej në vendin tim”, tha i akuzuari Abie.
E këtë deklarim të tij rreth fajësisë e ka mbështetur mbrojtësi i tij, avokati Mentor Bogaj i cili tha se është hera e parë në karrierën e tij që në seancën dëgjimore për këtë rast pajtohet me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore pasi që sipas tij, i mbrojturi i tij këtë vepër e ka kryer vetëm për arsye të strehimit të tij.
Avokati Bogaj deklaroi se i mbrojturi i tij tani i akuzuari Abie, Kosovën e ka përdorur vetëm si një urë kalimi për në shtetet e Evropës Perëndimore.
“I mbrojturi im në qershor ka hy në Kosovë, ku është regjistruar në Qendrën e Azilit në Magure, duke përdorur Kosovën si trampolinë për vendet e Evropës Perëndimore, ndërkohë i ka disa tentime për të dalur në Evropë me ç’rast e kthejnë nga Serbia prapë në Kosovë”, tha avokati Bogaj.
Tutje, sipas avokatit Bogaj pasi që të mbrojturit të tij i ishin harxhuar të hollat që i kishte dhe pasi që Qendra e Azilit nuk e ka pranuar më, i njëjti tha se në këtë mënyrë i akuzuari ishte detyruar që të flejë nëpër vende të braktisura dhe të haj ushqim aty ku ka mundur të gjej.
Sipas tij, qëllimi i të mbrojturit të tij ka qenë që vetëm të kapet nga policia dhe të ketë një vend ku të qëndroj dhe ky veprim të jetë shkas që të kthehet në vendin e origjinës së tij.
“I njëjti merr vendim që ta bëjë veprimin për të cilin sot akuzohet, me vetëdije në ora 13:00 ditës duke e parë që vendi është i vështruar me kamera dhe duke parë se ka qarkullim të njerëzve aty e kryen veprën penale me qëllimin që të bie në duart e policisë duke e ditur që në burg do të ketë ushqim dhe një fjetje të ngrohtë me qëllimin kryesor që shteti t’ia mundësoj kthimin ose dëbimin nga Kosova për në vendin prej nga vjen”, deklaroi avokati Bogaj.
Në anën tjetër, prokurori Jakupi nuk u pajtua me pranimin e fajësisë nga i akuzuari Abie, pasi që sipas tij, ky pranim nuk është bërë në përputhje me dispozitat ligjore dhe sipas përshkrimit faktik dhe juridik të veprës penale.
“Bazuar në vet deklarimin e të pandehurit i cili deklaroi se nuk ka pasur dashje që ta kryej veprën penale por qëllimi i tij ka qenë që me veprimin e tij të kapet nga ana e policisë dhe që të kthehet në vendin e origjinës, në rastin konkret pranimi i fajësisë nuk është i plotë pasi që i pandehuri nuk e pranon elementin subjektiv të veprës penale që është dashja”, tha prokurori Jakupi.
Pas deklarimit të palëve, gjykatësi Gent Beka mori aktvendim me të cilin refuzoi pranimin e fajësisë me arsyetimin se gjykata nuk është bindur se plotësohen kushtet e nenit 248 të Kodit të Procedurës Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykatësi Beka, po ashtu njoftoi palët se brenda afatit prej 15 ditësh kanë të drejtë që të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe po ashtu njoftoi se lidhur me këto kërkesa nuk do të mbahet shqyrtimi i dytë por do të vendoset jashtë seance.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të 2021-ës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Taufik Abie po akuzohet se më 23 dhjetor 2021 në Prishtinë, në rrugën “Migjeni”, i njëjti me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj dhe përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër ka thyer me një kubëz xhamin e lokalit “Dea Store”.
Me ç ‘rast sipas aktakuzës nga aty i pandehuri Abie ka marrë 6 orë të markës “Ferruci”, duke i shkaktuar dëm pronares së lokalit në vlerë rreth 160 euro.
Për këtë, Abie po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 315 parafrafi 1 nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi