I fyer reagon BE ndaj votës britanike për të dalë nga BE dhe të fyer nga britanikët shprehen shumë komentatorë gjermanë. Kjo në një kohë kur një startim i ri i Evropës duhet të qe bërë prej kohësh, mendon Zhang Danhong.
Martesa është një përpjekje për të zgjidhur vetë i dytë probleme, të cilat po të ishe vetëm nuk do t’i kishe pasur kurrë, ka thënë njëherë edhe Woody Allen.
Ngjashëm është puna edhe me Bashkimin Evropian. Në të merresh me çështje me të cilat si shtet nacional nuk do të konfrontoheshe. Për shembull:ku duhet të jetë qendra e komunitetit?
Për këtë në vitin 1951 shtetet anëtare të Montanunion, pararendësit të BE u grindën tri ditë e tri net. Dhe u zgjodh Luksemburgu.
I rraskapitur, Jean Monnet, kryearkitekti i atëhershëm i integrimit evropian, i tha atëherë asistentit të tij: “Tani kemi disa orë për të fjetur. Pastaj na duhen disa muaj për hapin tjetër të integrimit. Pastaj…”Asistenti i tij i zgjuar e ndërpreu:
“Pastaj ne ndeshim në vështirësi të mëdha. Dhe halli na detyron të integrohemi edhe më tej. Apo jo?” Monnet qeshi: “Tamam kështu. E ke kuptuar parimin si funksionon Evropa.”
Integrim teknokratik dhe pa rënë në sy
Kështu ka funksionuar Evropa për gjashtë dekada. Integrimin elita politike e ka bërë duke e anashkaluar popullin – në mënyrë shumë të ndërgjegjshme.
Këtë e pranoi hapur kryeevropiani Jean-Claude Juncker në vitin 1999 në një moment të rrallë ndershmërie. Konkretisht ai i tha revistës “Der Spiegel”:
“Ne vendosim diçka dhe presim pastaj disa kohë se çfarë ndodh. Kur nuk ka protesta të mëdha dhe nuk ka kryengritje, sepse shumica as që e kuptojnë atë që vendoset, atëherë ne vazhdojmë – hap pas hapi, derisa nuk ka më hap pas.”
Në politikën evropiane kjo quhet varësi nga rruga. U fute në një rrugë të gabuar? S’ka problem. Gabimi çimentohet në atë masë, sa që një kthim pas në pikën fillestare të gjithë pjesëmarrësve u duket shumë i mundimshëm dhe prandaj as nuk mendohet.
Kështu u frenua kriza e euros duke i komunitarizuar borxhet. Sa më shumë avancon ky proces, aq më pak gjasa ka që të bëhet kthimi pas.
Fjala magjike e integrimit evropian është “pa alternativë”. Nuk mund të jetë ajo që nuk lejohet të jetë.
Por britanikët nuk u impresionuan nga kjo dhe votuan në demokraci direkte me shumicë për daljen nga BE.
Me këtë ata demonstruan se nuk kanë qejf që të zgjohen një ditë pa e kuptuar në Shtetet e Bashkuara të Evropës.
Integrimi evropian nisi 60 vjet më parë si një projekt pajtimi para së gjithash midis Gjermanisë dhe Francës. Të dy shtetet janë ato që kanë përfituar më tepër prej tij.
Franca e përdori BE, në mënyrë që megjithë dobësinë ekonomike të ishte në të njëjtën lartësi me gjermanët.
Kurse Republika Federale fitoi mundësinë që të forcohej në çatinë e komunitetit pa i frikësuar fqinjët. Britanikët e panë veten në fillim më tepër si këshilltarë dhe nxitës të bashkimit evropian.
Që pas votës për Brexit të luash të fyerin dhe t’i konsiderosh britanikët budallenj, kjo dëshmon për mungesë tolerance dhe një kuptim të çuditshëm demokracie.
Kriza është shans
Jo, BE nuk e futën në krizë britanikët, në të ai ndodhet gjithsesi prej vitesh. BE duhet ta kuptojë votën britanike si një thirrje për t’u zgjuar, për të guxuar një fillim të ri.
Në këtë kuadër BE duhet t’i rimendojë nga e para ndarjet e kompetencave midis Evropës dhe shteteve nacionale dhe në të ardhmen t’i bindë njerëzit në hapat e mëtejshëm.