Infektologu, Valbon Krasniqi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus, të mos e fshehin nga të tjerët këtë fakt.
Krasniqi është shprehur i shqetësuar nga ky veprim i kosovarëve.
“Ekziston njëfarë tendence me fsheh, sidomos nëpër lagje se janë të prekur, nuk duhet me ndodh kjo, më mirë është t’ju tregojnë të gjithëve në mënyrë që kenë kujdes e numri me të prekur të jetë më i vogël”, ka thënë Krasniqi në 1KL të Ktv-së, përcjell Insajderi.
Nuk është marre me qenë i infektuar COVID-19, është shprehur ai.
Infektologu ndau edhe disa raste që atij i kanë ndodhur personalisht.
“Ka pasur raste kur kanë ardhë në Klinikë me simptoma të virusit, nuk kanë tregu që kanë pas kontakt me të prekurit ose personat që kanë ardhë nga jashtë deri në momentin që është konstatu që janë pozitiv”, ka deklaruar mjeku teksa u ka bërë thirrje që mos e fshehin, pasi kështu ia rrezikojnë jetën vetes së pari, familjarëve fqinjëve e edhe mjekëve të cilët po kujdes për ta pa ndalë.
Gjatë bisedës, infektologu Krasniqi bëri thirrje që edhe blerjet kur bëhen nëpër markete mundësisht të shkojë vetëm një person dhe të bëjë blerje mundësisht për një kohë më të gjatë.
Deri më tani në Kosovë një person ka vdekur nga koronavirusi teksa 91 janë të infektuar.
Qeveri ka vendosur orarin e ri të kufizimit të lëvizjes për qytetarë nga ora 17:00 deri në 06:00, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e virusit korona.