Thirrja që iu kthye bumerang Trumpit

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Washington, (AP) – Fjalët e mbështetësve të Donald Trumpit, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në trazirat fatale të Capitolit në SHBA, mund të përfundojnë duke u përdorur kundër tij në gjykimin për shkarkim nga Senati, për akuzën e nxitjes së kryengritjes së 6 janarit.

Të paktën pesë mbështetës që përballen me akuza federale kanë thënë se po merrnin urdhra nga presidenti i atëhershëm, kur marshuan në Capitol Hill më 6 janar, për ta kundërshtuar certifikimin e fitores së zgjedhjeve nga Joe Bideni. Por, tani ato komente, të kapura në intervista me reporterë dhe agjentë federalë, ka të ngjarë të zënë vend në sallën e gjykimit të Trumpit, teksa demokratët e paraqesin rastin. Është hera e parë që një ish-president do të përballet me akuza të tilla pas largimit nga detyra.

“Ndihem sikur në fakt po e ndiqja presidentin tim. Po ndiqja atë që për të cilën ishim thirrur ta bënim. Ai kërkoi nga ne që të fluturojmë atje. Ai kërkoi që të ishim atje”, ka thënë Jenna Ryan, agjente e pasurive të patundshme në Teksas, e cila postoi një fotografi në Twitter duke ndezur një shenjë paqeje pranë një dritareje të thyer të Capitolit, ka thënë një stacioni televiziv Dallas-Fort Worth.

Dëshmitë e përkrahësve

Jacob Chansley, burri nga Arizona i fotografuar në tribunë në Senat, i cili ishte gjysmëlakuriq dhe e kishte fytyrën të ngjyrosur dhe mbante një kapelë gëzofi me brirë, ka bërë me gisht kah Trumpi.

Chansley thirri FBI-në një ditë pas kryengritjes dhe u tha agjentëve se ai udhëtoi “me kërkesë të presidentit që të gjithë “patriotët” të vinin në Washington më 6 janar 2021”, sipas autoriteteve.

Avokati i Chanleyt loboi, por pa sukses, që të falet klienti i tij para se të mbaronte mandati i Trumpit, duke thënë që Chansley “ishte ndier sikur po i përgjigjej thirrjes së presidentit tonë”. Autoritetet kanë thënë se përderisa ishte në dhomën e Senatit, Chansley i shkroi një shënim kërcënues nënkryetarit të atëhershëm Mike Pence ku thuhej: “Është vetëm çështje kohe, drejtësia po vjen”.

Trumpi është presidenti i parë që do të gjykohet dy herë dhe i pari që përballet me gjykim pas largimit nga detyra. Akuza kësaj here është për nxitje dhune kundër Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Avokati i tij, Butch Bowers, ka refuzuar të flasë në lidhje me akuzën.

Diskutimet në gjyq do të fillojnë më 8 shkurt.. Demokratët e Shtëpisë së Bardhë, që votuan për të shkarkuar Trumpin javën e kaluar, për nxitjen e sulmit në Capitol, kanë thënë se ka nevojë për një vlerësim të plotë para se vendi – dhe Kongresi – të mund të ecën përpara.

Thirrjet e Trumpit

Për javë të tëra, Trumpi i mblodhi mbështetësit e tij kundër rezultatit të zgjedhjeve dhe i nxiti ata që të shkojnë në Capitol më 6 janar për ta kundërshtuar fitoren e Bidenit. Trumpi foli para turmës pranë Shtëpisë së Bardhë pak para se të marshonin përgjatë Bulevardit të Pensilvanisë për në Capitol Hill.

“Kurrë nuk do të dorëzohemi. Kurrë nuk do ta pranojmë. Nuk do të ndodhë”, kishte thënë Trumpi. “Nuk pranoni kur përfshihet vjedhja. Vendi ynë është lodhur. Ne nuk do të durojmë më”.

Më vonë ai kishte thënë: “Nëse nuk luftoni fort nuk do të keni shtet”. Ai u kishte thënë mbështetësve që t’ia mësynin Capitolit dhe “në mënyrë paqësore dhe patriotike” të dëgjoheshin zërat e tyre.

Trumpi nuk ka marrë përgjegjësi për pjesën e tij rreth nxitjes së dhunës, pasi disa ditë pas sulmit ka thënë: “Njerëzit menduan se ajo që thashë ishte plotësisht e përshtatshme”.

Ndryshe nga një gjykim penal, ku ka rregulla të rrepta për atë që është dhe nuk është dëshmi, Senati mund të marrë parasysh gjithçka që dëshiron. Dhe nëse ato mund të tregojnë se fjalët e Trumpit patën vërtet ndikim, aq më mirë, edhe juristët e presin këtë gjë në gjyq.

“Sjellja e deklaratave të atyre njerëzve është pjesë e të dëshmuarit se do të ishte pothuajse e paarsyeshme për një person të arsyeshëm që të priste se nëse thua dhe bën gjërat që Trumpi i ka thënë dhe bërë, atëherë ato do të kuptoheshin saktësisht në mënyrën se si i kuptuan këta njerëz”, ka thënë Frank Bowman, ekspert i së drejtës kushtetuese dhe profesor i drejtësisë në Universitetin e Misurit.

Një zjarrfikës në pension nga Pensilvania i kishte thënë një shoku se ka udhëtuar për në Washington me një grup njerëzish, dhe grupi e ka dëgjuar fjalimin e Trumpit dhe më pas “i ka ndjekur udhëzimet e presidentit” dhe ka shkuar në Capitol, ka shkruar një agjent në dosjet e gjykatës. Ai njeri, Robert Sanford, është akuzuar për hedhjen e një pompe zjarrfikëse që goditi tre oficerë të Policisë së Capitolit.

Një burrë tjetër, Robert Bauer nga Kentucky, u tha agjentëve të FBI-së se “ai marshoi në Capitol, sepse presidenti Trump u tha ta bënin këtë”, shkruan autoritetet. Kushëriri i tij, Edward Hemenway, nga Virxhinia, i tha FBI-së se ai dhe Bauer u marshuan drejt Capitolit pasi Trumpi tha “diçka rreth marrjes së Bulevardit të Pensilvanisë”.

Të akuzuarit e kaosit

Më shumë se 130 njerëz që nga e premtja po përballeshin me akuza federale; prokurorët kanë premtuar se po vijnë më shumë raste – dhe edhe akuza më serioze.

Shumica e të arrestuarve deri më tani akuzohen për krime, si hyrja e paligjshme dhe sjellja e çrregullt, por prokurorët këtë javë ngritën akuza konspirative kundër tre anëtarëve të vetëpërshkruar të një grupi paramilitar, të cilët autoritetet thonë se e kanë planifikuar sulmin. Një grup i veçantë i prokurorëve po shqyrton nëse do të ngrejë akuza për kryengritje, të cilat mund të dënohen deri në 20 vjet burg, kundër ndonjë prej protestuesve.

Nevojiten dy të tretat e Senatit për të dhënë dënim. Dhe përderisa shumë republikanë – përfshirë udhëheqësin e pakicës së Senatit Mitch McConnell nga Kentucky – kanë dënuar fjalët e Trumpit, mbetet e paqartë sesa do të votojnë për ta dënuar atë.

“Gjersa deklaratat e atyre njerëzve e mbështesin rastin e drejtuesit të Shtëpisë së Bardhë, unë mendoj se presidenti Trump ka përfituar nga një Parti Republikane, që nuk ka qenë e gatshme t’i shikojë provat”, ka thënë Michael Gerhardt, profesor në Universitetin e Karolinës së Veriut, i cili dëshmoi para Komitetit të Gjyqësorit të Shtëpisë së Bardhë gjatë seancave të para të gjykimit të Trumpit më 2019.

“Ata i qëndruan pranë gjatë tërë procedurës së parë të gjykimit, duke menduar se thirrja telefonike me presidentin e Ukrainës ishte e përsosur dhe jam i sigurt se ata do të mendojnë se edhe ai fjalim ishte i përsosur. Nuk ka ende diçka për të thënë se ata mendojnë ndryshe”, ka thënë Gerhardt.

Të ngjashme