Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kanë bërë thirrje urgjente për pezullimin e vendimit të ZRrE-së për daljen e detyruar të bizneseve në tregun e lirë të energjisë, duke paralajmëruar pasoja serioze financiare për sektorin prodhues.
Sipas të dhënave të publikuara, kostot e energjisë në tregun e lirë po i kushtojnë bizneseve rreth 10 milionë euro në muaj, ndërsa kërkesa për depozita paraprake dy mujore ka ngritur barrën financiare në mbi 20 milionë euro. Vetëm në gusht 2025, bizneset pritet të paguajnë rreth 50 milionë euro për energji.
OEK thekson se moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Komerciale nga ZRrE ka sjellë pasoja të rënda për likuiditetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit prodhues, duke cenuar konkurrueshmërinë e tij në treg.
“Pezullimi i këtij vendimi është sot një akt patriotik për mbrojtjen e ekonomisë dhe qytetarëve të vendit”, thuhet në deklaratë.