Thirrjes së OKB-së për armëpushim në kohë pandemie i përgjigjen 11 shtete

Prishtinë | 04 Pri 2020 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se njëmbëdhjetë shtetet që ndodhen në konflikte të gjata i janë përgjigjur thirrjes së kësaj organizate për armëpushim në kohë pandemie. Ai premtoi se do ta nxisë qetësinë në botë edhe gjatë javëve të ardhshme.

Kombet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara që tmerret e luftës në vendet me sisteme shëndetësore të brishta do ta bëjnë pothuajse të pamundur betejën kundër përhapjes së Coronavirusit.

Duke folur në Nju Jork, Guterres tha se thirrja e tij, e bërë më 23 mars, është përkrahur nga një numër i madh i shteteve anëtare, partnerë rajonalë, rrjetet e shoqërisë civile dhe organizatat e ndryshme.

Një peticion, me të cilin bëhet thirrje për ulje të armëve dhe rritje të zërit të paqes, është nënshkruar nga më shumë se 1 milion njerëz në internet, shkruan “The Guardian”.

Sidoqoftë, shefi i OKB-së pranoi se ekziston një dallim mes deklaratave dhe veprimeve në shumë shtete, ndonëse ato zyrtarisht e kanë përkrahur thirrjen për paqe.

Ai shtoi se palët e konflikteve në Jemen, Libi, Kamerun, Kolumbi, Siri dhe Ukrainë janë pajtuar që ta marrin parasysh thirrjen për armëpushim.

Sipas një vlerësimi, në Siri gjatë muajit mars janë vrarë 103 persona, që paraqet shifrën më të ulët për një muaj gjatë tërë luftës civile.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme