Thyhet faqja zyrtare e AAK-së, botohen materiale kundër Haradinajt

Prishtinë | 02 Shk 2017 | 00:25 | Nga

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka njoftuar se sonte në orët e mbrëmjes është thyer faqja zyrtare e saj në internet.

Aty janë publikuar në disa gjuhë, përfshirë dhe serbisht, materiale propagandistike të cilat sulmojnë figurën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

AAK-ja thotë se ekipet e saj po punojnë për sanimin e faqes, si dhe në hetimin se nga kush është thyer faqja zyrtare e partisë: www.aak-ks.org

“Këtë ndërhyrje flagrante e kriminale në faqen e AAK-së dhe sulmet ndaj Haradinajt, i konsiderojmë grahma të fundit të njerëzve e qarqeve të caktuara, kryesisht në Serbi, të përfshira në luftën speciale kundër Ramush Haradinajt dhe AAK-së”, thuhet në një njoftim të AAK-së, të lëshuar sonte pas mesnatës.

“Paralajmërimet se tashmë është demaskuar lufta speciale kundër Haradinajt dhe se farsa e sajuar gjyqësore kundër tij do të marrë fund brenda pak ditësh dhe ai do të kthehet në Kosovë, kanë mobilizuar gjithë establishmentin propagandistik antishqiptar, që sonte ka kulmuar edhe me thyerjen e faqes së AAK-së”.

“Faqja mund të thyhet, por e vërteta nuk mund të fshihet dhe ajo është në anën e Haradinajt dhe të AAK-së”, përfundon reagimi i Aleancës.

Të ngjashme