Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, i është kundërpërgjigjur kryeministrit, Albin Kurti, i cili deklaroi në Kuvend se ministrat e zëvendësministrat nga radhët e LDK-së sa ishin nën qeverisjen e tij nuk thoshin të hynin me forcë në veri.
Veliu, i cili ishte ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti 1, deklaroi se në fakt ai kishte kërkuar të bëheshin disa aksione në veri, por sipas tij Kurti nuk kishte guxim.
“Kryeministri iu referu Qeverisë Hoti që unë isha ministër, por sigurisht harroi me përmend se unë kam qenë ministër edhe në qeverisjen Kurti edhe ky e dinë shumë mirë që mua mendja nuk më ka shkuar me bë budallakina të tilla, qysh po bën ky tash në Veri. Por kam punuar për integrim të veriut përnjëmend”.
”Ky shumë mirë e di që unë i kam ofruar këtij, që të ndërmarrim aksione të ndryshme në Veri, por ky nuk ka pasur guxim. Atëherë i kam thënë që është mashtrues, i paguximshëm dhe sot i them të njëjtat fjalë”, tha Veliu.