Kërkesa e SHBA-së dhe e BE-së ka qenë që çështja e targave të shtyhej për dhjetë muaj. Qeveria Kurti nuk i dëgjoi. Po të shtyhej zbatimi i atij vendimi, nuk do të dilnin serbët nga institucionet, nuk do të shpalleshin e shtyheshin zgjedhjet lokale atje, nuk do të kishte sulme ndaj institucioneve atje, nuk do të kishte arrestime e rrjedhimisht nuk do të kishte barrikada.
Pra, refuzimi ndaj SHBA e BE-së ia ka dhuruar Serbisë pretekstin për prodhimin e kësaj krize zingjirore, në dëm të stabilitetit të Kosovës.
Pa e kuptuar këtë gabim, qeveria Kurti nuk mund të dalë nga qorrsokaku. Ndërsa, duke e etiketuar KFOR-in, siç po bëjnë disa zyrtarë të LVV, qeveria vetëm mund ta përkeqësojë pozitën e vet. Pse?
Sepse KFOR ka mandatin nga rezoluta 1244 dhe i ka vlerësimet e veta. Nuk vepron sipas humorit të Albin Kurtit dhe fanatikëve të tij fantastë. Nëse ka deputet e këshilltarë politikë të Kurtit, që nuk kuptojnë kaq send, mjerë për ne! T’i thuhet KFOR-it “lësho udhë”, duhet të jesh shumë budalla.
Nëse KFOR do të lëshonte udhë, duke injoruar rezolutën 1244, vakumin do ta mbushte policia dhe ushtria e Serbisë. Kaq gjë do të duhej ta dinte edhe deputeti më injorant edhe këshilltari më spekulant.
Në të vërtetë, disa politikanë nuk e patën kuptuar mandatin e KFOR-it as në vitin 2004, por na ndodhi hataja. Ata që mbajnë mend, e dinë si përfundoi tragjikisht konfrontimi me KFOR-in.
Pra, këshilla ime modeste për këta injorantë e aventurierë është: me KFOR-in mos u kruani. Vazhdoni të llomotitni në rrjete sociale kundër ne shqiptarëve, boll e keni atë mision pervers.