Tifozët e Leicesterit vendosin kurora lulesh në stadium pas aksidentit tragjik

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Tifozët e përlotur të Leicester Cityt janë mbledhur dhe kanë vendosur lule në stadiumin “King Power” të dielën, pas raportimeve se pronari i klubit ishte në helikopterin që u rrëzua dhe shpërtheu në zjarr të shtunën mbrëma.

Helikopteri – në të cilin raportohet se ishte pronari i popullarizuar Vichai Srivaddhanaprabha dhe dy pilotët – është rrëzuar në kthesë në parkun e veturave pak momente pasi është ngritur nga qendra e fushës pas ndeshjes së Premier Leagues të së shtunës mes Leicesterit dhe West Ham Unitedit.

Raportimet e mëhershme kanë thënë se edhe vajza e pronarit ishte në helikopter, ndonëse ato janë mohuar nga burime të Leicester Cityt, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. Por BBC ka raportuar se një burim i familjes së miliarderit tajlandez ka konfirmuar se pronari ishte në helikopter.

Tifozët që janë mbledhur në stadium në mëngjesin e së dielës e kanë quajtur “ditën më të errët” në histori të Leicesterit, duke i dhënë nderimet pronarit që ndihmoi skuadrën drejt triumfit të madh në Premier League në vitin 2016.

Policia ende nuk ka komentuar për Srivaddhanaprahban 60-vjeçar që ka katër fëmijë. Me tifozët duke pritur për lajme, policia ka thënë pasditen e së dielës se po punon me një numër të agjencive për të lëshuar një komunikatë.

Helikopteri i Srivaddhanaprabhas ishte duke shkuar në drejtim të aeroportit të Lutonit, ku pronari po pritej të nisej për në Tajlandë.

Dëshmitarët kanë treguar se motori i helikopterit ishte ndalur në ajër dhe helikopteri ishte rrëzuar diku rreth orës 20:45 të shtunën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme