Tifozët e Man Unitedit i vazhdojnë protestat kundër pronarëve të klubit

Prishtinë | 05 Kor 2019 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Tifozët e Manchester Unitedit i kanë vazhduar protestat kundër pronarëve të klubit, familjes Glazer, dhe së fundi kanë filluar t’i ndalin abonimet për kanalin televiziv të “Djajve të kuq”, MUTV, për të mos i sjellë atyre më shumë përfitime.

Protestat e tifozëve të Manchester Unitedit kundër pronarëve të klubit, familjes amerikane Glazer, u intensifikuan këtë verë, pasi klubi anglez nuk ka bërë investimet serioze në skuadër.

Pasi klubi e anuloi një program të famshëm në televizionin MUTV, ku tifozët mund të telefonin për t’i shprehur mendimet e tyre për klubin, tifozët kanë filluar t’i anulojnë abonimet e tyre për kanalin televiziv.

Kanë kaluar 14 vjet që nga dita kur familja amerikane Glazer e bleu Manchester Unitedin për 790 milionë funte. Por, për shumë tifozë të “Djajve të kuq” 16 maji i vitit 2005 shënohet si dita më e keqe në historinë e klubit të tyre.

Përkundër që tifozët kishin organizuar shumë protesta gjatë asaj kohë, tentimet e tyre kishin qenë të pasuksesshme dhe biznesmeni amerikan Malcolm Glazer i bleu 75 për qind të aksioneve të klubit.

Frika se Manchester Unitedi do të zhytej në kredi dhe do të drejtohej nga një familje me pak njohuri për futbollin është kthyer në realitet.

Që prej vitit 2011, drejtuesit e Manchester Unitedit i kanë dhënë vetes pagë prej 75 milionë funtesh në vit. Në këtë shumë përfshihet edhe paga e drejtorit ekzekutiv, Ed Woodward, mirëpo familja Glazer e ka marrë për vete një pjesë të kësaj shume.

Përderisa pronarët e Manchester Cityt dhe Liverpoolit nuk marrin pjesë nga fitimi i klubit, që nga viti 2013 është bërë e ditur se pronarët e Manchester Unitedit i marrin për vete edhe nga 78 milionë funte të tjera, përveç parave të pagës, çdo vit.

Për më tepër, familja Glazer e bëri Manchester Unitedit pjesë të tregut të aksioneve në Nju Jork në vitin 2012. Që nga atëherë, Glazer-at kanë investuar në shumë kompani me paratë e klubit, duke hyrë në kredi për 452 milionë funte. Asnjë cent nga këto para nuk është investuar në klub.

Gjithashtu, familja Glazer i ka marrë për shpenzime financiare plot 786 milionë funte nga klubi gjatë 13 vjetëve të fundit, duke e rritur edhe më shumë borxhin.

Borxhi i krijuar i shkakton probleme Manchester Unitedi pasi që UEFA nuk lejon investime të mëdha në skuadër pa e paguar borxhin, gjë të cilën pronarët e Manchester Unitedit nuk e kanë bërë që nga viti 2011. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme