Katër ditë pas eliminimit nga garat evropiane, kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin Zekirija Ramadani.
Klubi nga Drenasi të premten ka njoftuar se Ramadani më nuk do të jetë në krye të ekipit. Por, ky lajm nuk u prit mirë nga tifozët e Feronikelit, shumë prej të cilëve ia adresuan meritat kryesore trajnerit për sezonin e suksesshëm që pati skuadra, shkruan sot Koha Ditore.
Me Ramadanin në krye, Feronikeli fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës, e më këtë automatikisht edhe Superkupën, pastaj kaloi raundin paraeliminator të Ligës së Kampionëve me dy fitore, por nuk pati sukses më pas në raundin e parë të kësaj gare, e as në raundin e dytë të Ligës së Evropës.
Komentet e tifozëve në rrjetet sociale ishin të pafund dhe shumë prej tyre edhe e falënderuan trajnerin shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
“Turp për drejtuesit e Niklit, pasi Ramadani nga fundi e mori ekipin dhe e bëri kampion duke i sjellë tre trofe në Drenas. Pastaj, ekipi luajti edhe në Evropë, çka mund të kërkoni më shumë për një vit. Respekt për Zekën dhe punën që e bëri pa hile”, ishte komenti i një tifozi.
Në njoftimin e Feronikelit, thuhet se vendimi ka ardhur pas mbledhjes që është mbajtur të premten, ku krahas gjendjes së klubit janë analizuar edhe rezultatet e fundit..