Ashtu siç pritej, nuk kanë vonuar shumë provokimet e tifozëve të Olimpiakos ndaj Besnik Hasit. Që në ditët e para të emërimit të tij në stolin e kampionëve të Greqisë, shumë ultras të skuadrës i dolën kundër klubit, duke u nisur nga fakti se Hasi ishte shqiptar e për më tepër me origjinë nga Kosova.
Grupimet e tifozërisë së Olimpiakosit kanë bërë prej kohësh të qartë se janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe herë pas herë shpalosin në ndeshjet e skuadrës së tyre parullat “Kosova është Serbi”. Këtë qëndrim, ata ia kanë bërë të qartë edhe gjakovarit Hasi në ndeshjen miqësore kundër Asteras Tripoli.
Në stadium, që në fillimin e ndeshjes, e deri në fundin e saj, është shpalosur një parullë e tillë, ndërsa askush nga klubi as ka marrë mundimin të kundërshtojë ultrasit e Olimpiakosit. Përkundrazi, në një pjesë të videos së publikuar nga vetë klubi në “You Tube”, shihet pjesë e parullës në fjalë gjatë gjithë ndeshjes.
Në fund të ndeshjes, edhe vetë Hasi është detyruar të bëjë intervistat e tij duke pasur në sfond një parullë të tillë provokuese.
Sigurisht që ky nuk ishte fillimi që priste Hasi në eksperiencën e tij në stolin e Olimpiakosit ndërsa duhet të bëhet gati për provokime të tjera, sepse klubi i tij, në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, do të përballet me Partizanin e Beogradit.