Me futbollin profesionist gati tërësisht të ndaluar, tifozët në nevojë për të mbuluar atë shprehi të fundjavës për të shikuar ndeshje, po kthejnë sytë nga Premier League e Bjellorusisë për të mbuluar këtë zbrazëti, shkruan Reuters, transmeton Koha.net.
Ndonëse futbolli dhe sporti në përgjithësi është ndalur shkaku i koronavirusit, në Bjellorusi ndeshjet po vazhdojnë dhe atë me tifozë.
Liga, që nuk gëzon ndonjë famë të madhe dhe nga e cila skuadrat rrallë arrijnë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, është duke ngjallur interesimin e tifozëve të huaj dhe po ashtu një seri të marrëveshjeve të reja të transmetimit.
Autoritetet kanë thënë se nuk e kanë ndërmend të shtyjnë ndeshjet apo anulojnë stinorin që ka nisur më herët këtë muaj.
Derisa shumica e skuadrave, ndoshta me përjashtim të BATE Borisovit dhe Dinamo Minskut, janë të panjohura për shumicën e tifozëve të futbollit, liga po shfrytëzon në maksimum se janë ndaluar garat elitare në pjesën tjetër të botës.
Vendimi për të vazhduar dhe për të lejuar tifozët në stadiume ka ndihmuar Federatën e Futbollit të Bjellorusisë të sigurojë marrëveshje me rrjete sportive nga dhjetë shtete, përfshirë Rusinë, Izraelin e Indinë, ku tifozët nuk kanë gjë tjetër për të shikuar.
“Është një situatë e paprecedent”, ka thënë zëdhënësi i federatës Alexander Aleinik.
Një nga rrjetet televizive sportive që po transmeton ndeshjet e futbollit të Bjellorusisë është edhe Sport-1 i Ukrainës.
Ndonëse ka nisur të transmetojë ligën në fund të vitit të kaluar – para shpërthimit të koronavirusit – pasi shumë ukrainas luajnë në Bjellorusi, shikuesit janë befasuar me kualitetin e ligës së Bjellorusisë.
“Ne nuk kemi pritur që ka futboll të denjë atje”, ka thënë Viktor Samoilenko, kreu i Poverkhnost Ukraine, që prodhon kanalin Sport-1, në mesin e disa kanaleve tjera. “Nuk e kemi ditur këtë para se të transmetonim ndeshjet”.
Bjellorusia deri më tash ka raportuar 94 raste me koronavirus, por ka marrë shumë pak masa për të parandaluar përhapjen.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, që ka mbajtur kreun e shtetit që nga viti 1994, ka insistuar se nuk është nevoja për distancim social dhe ka thënë se ai vazhdon të luajë hokej në akull dhe po ashtu të përqafohet me tifozët.
“Është më mirë të vdesësh në këmbë, sesa të jetosh në gjunjë”, ka thënë ai të shtunën pas një ndeshje hokeji. “Nuk ka virusa këtu në pistë të akullt, nuk po i shoh”.
Fal rritjes së shikueshmërisë së ligës së Bjellorusisë, është rritur edhe popullariteti i klubit Dinamo Minsk në rrjetet sociale, veçanërisht në mesin e atyre që flasin gjuhën angleze.
Alexander Strok, zëdhënës i klubit, ka thënë se shpreson që vëmendja ndërkombëtare do të ndihmojë lojtarët të rrisin nivelin e lojës.
“Ne shpresojmë se do të ndikoj në përmirësimin e nivelit të lojës, pasi lojtarët duhet të bëhen më të përgjegjshëm”, ka thënë ai.
Yuri, një tifoz i Dinamo Minskut, beson se interesimi i madh në ligën e Bjellorusisë mund të hap dyert për lojtarët që të lëvizin në ndonjë klub më të madh në Evropë.
Ai po ashtu shpreson se kur futbolli në Evropë të kthehet, tifozët prapë të shikojnë ligën e Bjellorusisë.
“Shpresoj që ata të mos shikojnë vetëm ligat angleze apo italiane, por edhe atë të Bjellorusisë herë pas here”, ka thënë Yuri.