Trajneri i Z Mobile Prishtinës, Damir Mullaomeroviq, është zgjedhur trajner i vitit në FIBA Europe Cup, bazuar në votat e tifozëve në sajtin zyrtar të FIBA-s.
Të mërkurën, FIBA ka njoftuar se Mullaomeroviq ka tubuar më së shumti vota prej nëntë trajnerëve që ishin në garë për këtë çmim. Mullaomeroviq ka tubuar 20 për qind të votave, duke lënë pas vetes Nebojsha Vidiqin (19%) e Balkan Botevgradit dhe Gianmarco Pozzeccon (17%) të Dinamo Sassarit, ekip që triumfi këtë edicion në këtë garë.
Mullaomeroviq ka udhëhequr Prishtinën në FIBA Europe Cup deri në 1/8 e finales. Për Prishtinën ky ishte edicioni i katërt rresht në këtë garë dhe më i suksesshmi. Prishtina arriti të futet në mesin e 16 ekipeve më të mira, por në 1/8 e finales u eliminua nga Varese, shkruan sot Koha Ditore.
Mullaomeroviq që njëherësh është edhe përzgjedhës i Kosovës, ka thënë se ndihet shumë i nderuar me këtë çmim, të cilin ia ka dedikuar basketbollistëve të tij.