Teksa ora po afrohet për ndeshjen vendimtare kundër Çekisë, kosovarët kanë një problem tjetër.
Tifozët e Kosovës nuk po arrin të pajisen me bileta për ndeshjen me Anglinë të dielën, anipse kompania e kontraktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës ”tiks.app” paralajmëroi se do të kishte një tjetër fluks të shitjeve gjatë orëve në vijim.
Biletat fillimisht do dilnin në shitje të martën nga ora 16:00, por fluksi i madh i qytetarëve bëri që uebfaqja të binte së funksionuari.
”Tiks.app” herë pas herë dilte me ndonjë njoftim sa për të arsyetuar dështimin e radhës të tyre, duke paralajmëruar se gjithçka do të rregullohet.
Edhe pse është paralajmëruar, gjërat aspak nuk janë rregulluar. Sot, ku janë bërë 26 orë nga njoftimi se biletat e mbetura do dilnin në shitje në orët vijuse, asgjë nuk ka ndodhur.
Lajmi.net ka provuar të kontaktojë me zyrtarë nga Federata e Futbollit të Kosovës ose nga kompania e kontraktuar për shitjen e biletave për të marrë vesh detaje të reja, por kontakti ka qenë i pamundur pasi nuk është hapur fare telefoni.
Ku kanë mbetur vetëm edhe tre ditë deri në takimin me Anglinë, biletat që po pretendohet se janë ende pashitur mund të mbesin të tilla pasi sajti tashmë nuk funksionon fare.