Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka arritur në Itali, ku do të takohet me grupin e G7, me të cilët do të bisedojë për krizën në Siri, kanë njoftuar mediat italiane.
Përveç anëtarëve të G7-ës, ministrat e jashtëm të Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Katarit, po ashtu pritet të marrin pjesë në këtë mbledhje.
Mediat italiane kanë cituar ministrin e Jashtëm italian, Angelino Alfano, të ketë thënë se në mbledhje kushtuar Sirisë, do të bëhet thirrje për parandalimin e “përshkallëizmit të rrezikshëm ushtarak”, në konfliktin sirian, pas sulmit të SHBA-së ndaj një baze ajrore siriane.
Tillerson me gjasë do t’iu tregojë homologëve të tij të G7-ës për qëndrimin e SHBA-së në Siri.
Grupi i G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Kanadaja. Rusia ishte pjesë e G8-ës por u përjashtua nga ky grup pas aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014.