Tinka Kurti e Lëvizjes Vetëvendosje është ankuar në Gjykatë Supreme, pasi KQZ-ja ua dha mandatin dy deputetëve të tjerë burra që kishin vota më pak se ajo, për shkak të një neni të Ligjit për Zgjedhje, që rregullon kuotën gjinore në përbërje të Kuvendit.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, Tinka Kurti, nuk ka arritur të bëhet deputete, as pasi pesë deputetë të partisë së saj lëshuan mandatet për t’u bërë pjesë e Qeverisë.
Zyrtarja e LVV-së ka njoftuar sot se është ankuar në Gjykatën Supreme, pasi beson që i ka takuar asaj të hyjë në Kuvend, por për shkak të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, Kurti thotë se iu pamundësua të bëhet deputete.
“Në pritje të vendimit të Gjykatës për mandatin e deputetes. Nuk mund të lejohet diskriminimi i institucionalizuar me ligj”, ka shkruar Kurti.
Ditë më parë, zyrtarja e LVV-së ka thënë se para saj hynë në Kuvend dy kandidatë burrë për deputetë, ndonëse ajo kishte më shumë vota.
Sipas saj, Komisioni Qendror Zgjedhor u ka dhënë të drejtë atyre për të hyrë në Kuvend, për shkak të një neni që rregullon kuotën gjinore. Në 29 mandate të LVV-së, 30 për qind të tyre i kanë fituar kandidatet gra me vota dhe pa pasur nevojë që në Kuvend të hyjnë me kuotë.
Shpjegimi i Kurtit:
Nuk do ta kisha besuar ndonjëherë që mund ta fitoj mandatin me vota e të mos e marr postin vetëm sepse jam grua. Nuk do ta kisha besuar për cilëndo punë e ironikisht po ndodhë në Kuvend të Republikës. Sot KQZ ka çertifikuar deputetët e rinj që zëvendësojnë ata që u tërhoqën për mandatet në ekzekutiv. Pavarësisht se jam me vota para dy burrave të tjerë kandidatë, sipas KQZ ata bëhen pjesë e Kuvendit e unë jo. Kjo për shkak të njëfarë neni absurd brenda Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që thotë se zëvendësimi i deputetëve duhet të bëhet përbrenda gjinisë. Të gjithë e dimë që ligji, përfshirë ky nen është shkruar për ta rritur prezencën e deputeteve në parlament. Dhe çka ndodhë tash? Pikërisht e ndëshkon. Saktësisht e pamundëson rritjen e 30 %. Përderisa ligji flet për minimumin e 30% të deputeteve në parlament dhe jo ruajtjen e kësaj shifre, në fakt kjo po bëhet barrierë që në Kuvend të ketë më shumë se 30% gra.
Kjo sigurisht është në kundërshtim me frymën kushtetuese e parimet ndërkombëtare dhe ligje të tjera tonat që janë shkruar e miratuar për përparimin e të drejtave të grave, por është edhe në kundërshtim me vetë konceptin e barazisë si synim e rrugëtim.
Ky nuk është vetëm problem ligjor por thellë politik. Nëse e lejojmë këtë të ndodhë është që ta shohim diskriminimin e kulluar edhe në institucionet më të larta. Andaj nuk është e pranueshme dhe do të kërkoj drejtësi.
PS. Kjo, natyrisht nuk ka të bëjë me kandidatët e tjerë (burra) të Lëvizjes që janë në radhë pas meje me vota. Përkundrazi, për ta, sikurse për çdo kandidat të LV kam veçse respekt maksimal e kolegialitet korrekt. Kjo ka të bëjë ekskluzivisht me nenin diskriminues i cili mëton të promovojë praktika nxitëse e përfundon duke përjashtuar.