Këtë fundjavë (e premte 8 korrik), Tirana mblodhi shkrimtarë, studiues, përkthyes dhe dashamirë të shumtë të fjalës së shkruar, si Besnik Mustafaj, Alda Bardhyli, Behar Gjoka, Mimoza Ahmeti, Majlinda Nana Rama, Gani Bytyçi, Namik Dokle, Anila Xhekaliu, Elsa Skënderi, Urim Nerguti, Dan Ibrahimi e shumë të tjerë. Me këtë rast, në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit, u bë prezantimi i poetit dhe botuesit, Abdullah Zeneli.
Në vazhdim po e jap fjalën time të rastit në këtë tribunë letrare.
Të nderuar shrimtarë, miq të dashur, dashamirë të fjalës së bukur, prej kohësh jetoj jashtë atdheut dhe jam shumë i lumtur, që sot ketu ndodhem mes jush, në mes të miqve për të cilët kam konsideratë të lartë dhe që më bëjnë nder që sot këtu së bashku. Dhe ne sot jemi këtu për një arsye dhe motiv të veçantë. Këtu po bëhet prezantimi i krijimtarisë poetike të Abdullah Zenelit.
Kur flasim për Abdullah Zenelin, detyrimisht duhet të flasim për dy anë të portretit të tij, të cilat të shumtën janë bashkë po jo rrallë qëndrojnë edhe të ndara, ashtu siç edhe kanë bërë jetë të përbashkët edhe të ndarë, të veçantë, Abdullah Zeneli botues dhe Abdullah Zeneli poet. Me themelimin e Shtëpisë Botuese BUZUKU, Abdullah Zeneli e ndezi një dritë, një qiri, në një kohë krejtësisht të errët, kur ishin shuar të gjitha dritat dhe tek ne kishte ngelur vetëm errësirë. Atë dritë, ai pastaj e ruajti me fanatizëm deri sa ajo u rrit e u rrit dhe u kthye në një rrezatim diellor. Atë rrezatim sot e shohim të gjithë dhe të gjithë ngrohemi prej saj. Me këtë mënyrë ai ngriti një faltore dhe vetë u kthye në predikues. Dhe në këtë tempull ai po lutet prej një mijë vjetësh. Dhe në këtë faltore ai tani nuk po lutet vetëm. Këtu tani po luten shumë shkrimtarë e artistë të fjalës, të hershëm e të sotem, të largët e të afërt. Në këtë tempull tani po lutemi të gjithë. Po luteni ju, unë e shumë të tjerë.
Unë i përcolla me vëmendje fjalët e miqve të mi këtu dhe vlerësimet e tyre të çmuara, si atë të Besnikut, Beharit, Mimozës, Namikut, Majlindës e të tjerëve. Secili nga ju poezinë e Abdullahut e vështruat nga një rrafsh dhe e spikatët nga një aspekt i veçantë. Që në fillim, Besniku i bëri një zbërthim poezisë së Abdullahut. Ai e gjeti atë kodin poetik të poezisë së tij.
Pastaj u fol për lirikën, dashurinë në poezinë e Abdullah Zenelit (Koncert në kohë dashure). Kjo, për të satën herë më kujtoi një definicion të një artisti frances (J. C.), ndoshta më i miri përkufizim për poezinë, ku thotë se poezia nuk ka për qëllim që të fliten gjëra poetike por që e vërteta të rrëfehet në mënyrë elegante. Dhe vërtet në vargun e A. Z. është ajo e vërteta tronditëse. Mimoza konstatoi se Abdullahu nuk flet për objektin e dashurisë, dhe vërtet ai nuk flet për të bukurën, për të madhen, për rrumbullaken, e të tjera. Ai flet për frymën e dashurisë. Për anën shpirtërore të saj. Për dashurinë si frymë. Dhe këtu qëndron thelbi i poezisë së tij. Dhe mu për këtë ai ka marrë në ndihmë Rabinin. Pse? Me miratimin e Rabinit autori ka dashur që ta shenjtërojë dashurinë. Ta shenjtërojë vargun për dashurinë. Me këtë shenjtërim ai i ka kapërcyer kohët, stinët. E ka kapërcyer edhe jetën. Atë anën e saj të vdekshme dhe dashurisë i ka dhënë dimension përjetësie. Kjo edhe u tha këtu në një varg, se dashura nuk vdes kurrë. Dhe kjo është e vërtetë. Nuk di nëse natyra apo vetë njeriu asaj i ka krijuar atë përmasë amshimi. Dimensionin hyjnor të saj. Pavdeksinë.
Autorit i uroj shumë suksese dhe u gëzova që ju pashë të gjithëve këtu!
Ju falemnderit!