Nën masa të rrepta sigurie, skuadra e Cërvena Zvezdës së Beogradit ka ateruar të hënën paradite në Tiranë, kurse pasdite ka mbajtur stërvitjen e parë dhe të fundit në stadiumin “Air Albania” para përballjes me Tiranën, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Autobusi i Cërvena Zvezdës gjatë tërë kohës është shoqëruar nga policia shqiptare.
Ndeshja Tirana – Zvezda zhvillohet të martën (sonte) prej orës 20:00.
Në fakt kjo përballje ndryshe ka filluar të quhet edhe “derbi i Ballkanit”, pasi mund të ofrojë edhe momente patriotike e politike krahas futbollit.
Trajneri i kampiones së Serbisë, Cërvena Zvezdës, Dejan Stankoviq, ka thënë se ekipi i tij ka udhëtuar në Tiranë vetëm për futboll dhe jo për gjëra të tjera, të cilat nuk i interesojnë fare. Madje Stankoviq, që karrierë si futbollist ka bërë në Itali te Lazio e Interi, ka thënë se ndihet keq që kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e shikuesve shkaku i situatës me pandeminë COVID-19.
“Unë kam ardhur të luaj futboll dhe asgjë tjetër, gjërat e tjera nuk më interesojnë. Në qoftë se unë do ta mendoj se bota do të ndalojë po ta humbas këtë ndeshje, atëherë do ta quaja të humbur. Por futboll është luajtur edhe para kësaj ndeshjeje dhe do të vazhdojë të luhet. Më vjen keq për të gjithë që nuk kemi tifozë. Janë pjesë e madhe e futbollit. Shpresoj që sa më shpejt t’i rikthehemi normalitetit”, ka thënë Stankoviq, i cili ka pranuar se për duelin me Tiranën ka disa mungesa. “Fakti që luhet vetëm një ndeshje ka ndikim. Ne kemi studiuar kundërshtarin, jemi përgatitur edhe emocionalisht. Mendoj që di mjaftueshëm për Tiranën. Është ekip i ri, i organizuar. Kundërshtar i denjë dhe shumë i mirë”.
Skuadra serbe në Tiranë ka udhëtuar me kuzhinierin e saj derisa trajneri Stankoviq para fillimit të stërvitjeve ka kërkuar që të laget fusha para se futbollistët e tij të dilnin, kanë njoftuar mediumet shqiptare.
“Nuk kam ndier asnjë presion në Shqipëri. Ne jemi përgatitur për çdo lloj skenari në fushën e lojës. Nuk e njoh shumë futbollin shqiptar. Di që trajnerë të Kombëtares kanë qenë Panucci dhe De Biasi, njoh edhe disa lojtarë shqiptarë që luajnë në Evropë, vetëm kaq”, u shpreh Stankoviq, duke pranuar se Tirana do të jetë një kundërshtare e denjë për Zvezdën.
Në fakt, nën masa të rrepta sigurie do të zhvillohet edhe ndeshja. Mësohet se klubi i Tiranës ka kërkuar ndihmën e policisë pas paralajmërimeve se një grup personash ka gjasa të ngrenë një dron me mesazh patriotik gjatë ndeshjes kundër Zvezdës.
Te Tirana nuk dëshirojnë të ndodhë një gjë e tillë pasi do të sillte një dënim të mundshëm nga UEFA, që do ta penalizonte shumë kampionen e Shqipërisë, ka shkruar Top Channel. Gjithashtu është njoftuar se policia shqiptare ka marrë të gjitha masat që ndeshja të zhvillohet pa asnjë problem, duke siguruar rendin publik, paqen dhe sigurinë e pjesëmarrëseve para, gjatë dhe pas ndeshjes. Do të ndalohen gjithashtu edhe tubimet e tifozëve përreth stadiumit, si dhe ka paralajmëruar bllokimin e disa rrugëve, si për vetura ashtu edhe për këmbësorë.
Tirana pas një kohe të gjatë është rikthyer në garat evropiane, kurse u kualifikua në fazën e dytë kualifikuese të Championsit pas fitores në udhëtim 2:0 ndaj Dinamo Tbilisit të Gjeorgjisë në kuadër të fazës së parë kualifikuese. Ndërkohë, Cërvena Zvezda e mposhti bindshëm ekipin nga Gjibraltari, Europa me shifrat 5:0.
Triumfi në Gjeorgji ka shtuar dukshëm optimizmin te skuadra e Tiranës që po synon ta tejkalojë edhe Zvezdën, që në letër është favorite. Skuadra që e humb këtë ndeshje, garat do t’i vazhdojë në fazat kualifikuese të Ligës së Evropës.
Në të vërtetë, trajneri i Tiranës, Ndubuisi Egbo, e sheh ekipin e tij në avantazh përballë Zvezdës, për shkak se luan në shtëpi.
“Shpresoj të marrim rezultatin e duhur ndaj Crvena Zvezdës. Kur e kam thënë që do të synojmë grupet, nuk e kam menduar çfarë skuadre kemi përballë. Do të tentojmë me të gjitha mundësitë. Do të futemi në fushë dhe do të japim maksimumin. Tirana ka të njëjtat shanse si Cërvena Zvezda dhe mendoj se jemi në avantazh për shkak se luajmë në fushën tonë”, është shprehur Egbo.
“E njohim mirë Zvezdën. Është ekip i fortë që di të sulmojë dhe ekip agresiv. Duhet të japim më shumë se në ndeshjen ndaj Dinamos”.
Ndërkohë, mediumet në Serbi vazhdimisht kanë shkruar dhe aluduar se në Tiranë ndeshja do të ketë më shumë qasje politike sesa sportive. Madje, nëpër mediumet serbe është përmendur edhe ngjarja që kishte ndodhur në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë të zhvilluar në Beograd në vitin 2014, në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2016”. Kjo ndeshje qe ndërprerë pas lëshimit të dronit në stadiumin ku zhvillohej ndeshja, që kishte një flamur me motive shqiptare. Pas kësaj ngjarjeje u pati krijuar një tollovi dhe përleshje mes futbollistëve të Shqipërisë dhe Serbisë. Përleshja bëri që ndeshja të ndërpritej.