Reagimi i opozitës për darkën glamuroze të kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë A.Vuciq, ishte kakofonik. Ende askush nuk e ka të qartë a është kjo opozitë që të zhvillohet ky proces apo të stopohet? Cili është qëndrimi i saj?
Kurse edhe ata që e sulmuan këtë shfaqjeje, nuk ofruan ndonjë vizion alternativ, por këtë ngjarje e kritikuan vetëm duke iu referuar fjalorit politik të Albin Kurtit, sa ishte në opozitë. I zhgroposën deklaratat e tij, të bëra ndër vite. Dhe dëshmuan se një pjesë të tyre i kishin mësuar përmendsh, sikur të ishin dishepujt e tij, por që tani janë të zhgënjyer nga konvertimi që është duke pësuar guruja i tyre, nga lakmia për pushtet. Me një fjalë, ata sikur shprehën një lloj dashurie dhe dhimbje, pse po e humbin Albin Kurtin “idealist” nga shtytjet e tij për pushtet.
Pra edhe nëse kishte ndonjë thirrje për denoncim dhe stopim të këtij procesi, ai duhej të bëhej sipas standardeve të vetë Albin Kurtit. Por jo që opozita qe në gjendje të ofronte kritere dhe vizion autentik të saj.
Paradoksalisht, me këtë zhvillim, po ashtu opozita, siç u cek edhe nga shumë media dhe analistë të tjerë, ka filluar t’i përvetësojë brenda parlamentit disa nga metodat e rezistencës së Vetëvendosjes, për të imponuar agjendën e saj kundër pushtetit. Edhe arsyetimet thuajse i kishin të njëjta.
Këto zhvillime nuk janë diçka e rastësishme. Ato shpërfaqin gjendjen e kësaj opozite. Mungesën e kreativitetit të saj. Dhe tregojnë se si ajo në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme e ka introjeketuar brenda vetës si standard të vetëm politik modelin e Albin Kurtit. Ku ky i fundit ka marrë për ta rolin e Tjetrit të Madh.
Prandaj, edhe beteja kundër tij nuk mund ta zhvillojnë ndryshe, pos duke e imituar opozitarin Albin Kurti kundër pushtetit të tij. Sepse, për imagjinatën e saj politike, ai është “subjekti” psikoanalitik që edhe adhurohet edhe urrehet.
Kjo edhe është arsyeja, që imazhi i opozitës, sot më shumë po ngjason një “lëvizje” heretike ndaj dogmave të liderit, se sa një alternative politike kreative dhe autonome në raport me proceset politike ku gjendemi si shoqëri dhe shtet.