Përgjatë vitit 2022, posaçërisht nga mesi i vitit që shkoi, kosovarët janë përballur me ngritjen e çmimeve të produkteve. Krahas inflacionit të lartë, trend negativ ka shënuar edhe Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës. Për shkak të krizës në tregjet financiare globale, Fondi ka humbur miliona euro.
Si rrjedhojë e luhatjes së tregjeve globale, Trusti, nga janari deri në dhjetor të vitit 2022, ka humbur mbi 118 milionë euro.
Sipas Raportit të BQK-së, i titulluar “Sistemi financiar deri në muajin dhjetor”, humbjet e Trustit deri në fund të vitit të kaluar, kanë shkuar në 118,9 milionë euro, ndërkohë shuma e kontributeve të reja ka arritur në 241 milionë e 500 mijë euro.
Ekonomsiti Nagip Skenderi vlerësoi se humbjet e mjeteve të TRUST-it janë si rezultat i tronditjeve financiare ndërkombëtare që ishin këto dy – tre vitet e fundit siç ishte pandemia dhe agresioni rus në Ukrainë.
“Mendoj se përderisa çrregullimet në tregjet financiare vazhdojnë, njëjte do të kemi vazhdimin e mëtutjeshëm të humbjeve edhe te mjeteve të trustit, që për qytetarët e vendit që kanë të kursyera mjetet e tyre në këtë fond do të përshkallëzoj negativisht edhe mjetet e tyre të trustit. Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, 70% e mjetëve të
Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30% e tyre investohen në letrat me vlerë në Kosovë. Dhe, humbjet po reflektohen si jashtë, ashtu edhe brenda”, ka thënë Skenderi.
Në një prononcim për Nacionale, Skenderi ka thënë se mjetet e TRUST-it do të duhej investoheshin në Kosovë, përkatësisht në sektorin energjetik.
“Tashmë po dihet mirëfilli se mosaprovimi i tërheqjes se një pjesë të mjeteve të trustit nga ana e deputeteve të Kuvendit të Kosovës po e thellon
edhe më tepër krizën ekonomike e sociale të qytetareve, prandaj kjo është e palogjikshme që këta deputet (që nuk kanë nevojë për vete të tërheqin mjetet sepse janë me paga të majme, dhe as që e ndjejnë në kurrizin e tyre varfërinë sociale), po e mundësojnë që këto mjete të humbasin nëpër tregjet financiare ndërkombëtare, në vend se ato t’u jepeshin një pjesë qytetarëve në këtë kohë krize. ”, ka thënë tutje ai.
Profesori i Ekonomisë, Ujkan Bajra, e ka komentuar këtë humbje të Trustit në Kosovë. Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka raste, kur humbjet janë të mëdha për bilancet e vogla. Sipas tij, nëse kontribuesi ka grumbulluar 10 mijë euro në TRUST
humbja për vitin 2022 është afërsisht 600 euro ose deri në 6% të vlerës së grumbulluar.
“Këto ditë, TRUSTI e ka shpërndarë pasqyrën e kursimeve pensionale (në email) për vitin 2022 për të gjithë kontribuesit. Tani në secilin kontribuues mund të shihni se kthimi i investimit është me humbje (negativ). Vlera e aseteve (njësive monetare) nën menaxhimin e FKPK-së më 31 dhjetor 2022 arriti në 2.41 miliardë euro. Por humbja është mbi 120 milionë (- 120 milionë) për të gjithë kontribuesit”- ka thënë Bajra.
Tutje, ai ka theksuar se duhet bërë e ditur se kush e mbulon këtë humbje të kursimeve pensionale.
“Nëse pjesa e kërkuar e TRUST-it shpërndahej në prill 2022, humbjet e kontribuuesve ishin tashmë më të vogla në çdo perspektivë të mundshme, duke marrë parasysh inflacionin, njësitë e investuara, fuqinë blerëse të konsumatorit dhe të ngjashme. Pyetja është kush e mbulon humbjen e kthimit nga investimi i fondeve tona nga TRUST-i për vitin 2022”- thuhet tutje në postimin e tij.
Ndërsa në raportin e BQK-së, tregohet se vlera e çmimit të aksionit ishte 1,63 euro, ndërsa vlera e aseteve të FKPK-së ishte 2 miliardë e 420 milionë e 600 mijë euro. Përveç Fondit Pensional të Kosovës (FKPK), bilanc negativ kishte edhe Fondi Slloveno-Kosovar i Pensioneve (FSKP).
Deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2022, FSKP-ja ka humbur 788 mijë e 600 euro. Kontributet e reja për një vit arritën të ishin 608 mijë e 400 euro. Kujtojmë se në Kosovë ka dy fonde pensionale, ndërsa numri i të punësuarve aty është 31 persona.
Gjatë tërë vitit 2022, vit që u shënua me humbje të Trustit, është lobuar për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve pensionale. Qytetarët e Kosovës tash e sa kohë kanë pritur që të miratohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve të TRUST-it, e cila nuk është votuar nga deputetët e VV-së, e cila ka shumicën në Kuvend.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti po i shpërfill qytetarët për kërkesën e tërheqjes së mjeteve të TRUST-it. Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është hera e dytë që vjen në Kuvend ky propozim dhe shpërfillet.Është për keqardhje injorimi i vazhdueshëm që Qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po ua bëjnë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, sikur kjo e tërheqjes së një pjese të kursimeve të tyre nga Trusti. Si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, është hera e dytë që, me kërkesë të qytetarëve, vjen në Kuvend nevoja për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i dhe po ashtu është hera e dytë që kjo mazhorancë e injoron”- ka thënë Krasniqi.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se këtë javë i kanë pranuar pasqyrat individuale të TRUST-it, ku, sipas tij, mbi 80% e investimit për vitin 2022 ka humbur. Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vërehet se rreth 6% e kontributit total ka humbur vetëm gjatë vitit që e lamë pas.
“Dhe tani kam një pyetje për Kryeministrin Kurti: A keni fije turpi kur vendosët që t’i privonit qytetarët e Kosovës që në këtë kohë krize të paparë t’i tërheqin një pjesë të kursimeve të tyre. Ku mbeti arsyetimi juaj kur thonit se po i mbrojmë investimet e qytetarëve, kur sot u vërtetua se gati i gjithë kontributi i vitit 2022 rezultoi me humbje dhe atë si rezultat i paaftësisë tuaj”- ka thënë tutje ai.
Për mosvotimin e këtij projektligji pati reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në këtë kohë krize, tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk është zgjidhja e duhur, por zgjidhja e vetme.
“Me gjithë këto kriza dhe kur mbështetja e qeverisë mungon, është e natyrshme që opozita të propozojë masa siç është tërheqja e kursimeve pensionale nga Trusti. Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike dhe sociale. Por, në mungesë të masave substanciale nga Qeveria, është zgjidhja e vetme”- thuhet në shkrimin e tij.