Agjencia Kosovare e Privatizimit ka rreth 2100 asete të cilat janë të paprivatizuara, e shprehur në përqindje janë 57% e aseteve në total. Shqetësuese është rënia e fuqisë blerëse. Ani pse nuk ka matje dhe analiza për shkaqet e rënies së interesimit, kjo mund të ndodhë për shkak të rrethanave ekonomike në vend.
Drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se së shpejti planifikohet të arrihet një bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe të ndërtohet dhe të bëjmë një kampanjë që i dedikohet vetëm diasporës.
“Dorën në zemër, ne kemi pak shqetësim për shkak se ka rënë fuqia blerëse, vërehet tek ne në AKP. Ka rënë pak interesimi. Ne jemi duke shikuar mundësi që të rritim marketingun pak, ose të provojmë metoda alternative, sesi t’i bëjmë asetet tona sa më atraktive dhe tërheqjen e vëmendjes së investitorëve potencialë. Së shpejti planifikoj të arrij një bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe të ndërtojmë dhe të bëjmë një kampanjë që i dedikohet vetëm diasporës. Jam i bindur se ka mjaftueshëm qytetarë të Kosovës që jetojnë në diasporë dhe që kanë interesim të madh për të pasur prona në Kosovë po që informatën e kanë shumë të vogël”, u shpreh Tolaj.
Ai tha se janë në fazën e identifikimit të metodave që të rritet interesimi për shitje dhe të përfundohet transformimi i pronës.
“Mund të jetë shkak i interesimeve dhe i rrethanave ekonomike e që ne nuk kemi matje ose analiza, kështu që për mua do të ishte spekulim. Por jemi në fazën e identifikimit të metodave të rritjes së interesimit nga palët e ndryshme dhe nga blerës të ndryshëm që të rritet shitja dhe të përfundohet transformimi i pronës. AKP-ja ka vetëm një mision: transformimin sa më të shpejtë dhe likuidimin e pronës dhe ndërmarrjeve shoqërore”, tha ai.
Sa i përket ndërmarrjeve të mëdha si “Hoteli Grand”, miniera e Goleshit dhe e Strezovcit, Tolaj tha se AKP-ja me Qeverinë kanë një marrëveshje, e cila këto ndërmarrje i nënshtron në listën potenciale të shitjes ose privatizimit të tyre përmes Ligjit të Investime Strategjike
“Të gjitha janë thuajse të gatshme për privatizim. Ajo që e ka frenuar Agjencinë Kosovare e Privatizimit është një marrëveshje me Qeverinë, e cila ka ndodhur vitin e kaluar, dhe tani këto asete i nënshtrohen listës potenciale të shitjes ose privatizimit të tyre përmes Ligjit të Investime Strategjike. Është një dakordancë ndërmjet Agjencisë dhe Qeverisë, shihet si një mundësi për shkak të kapacitet më të madh që ka Qeveria të tërheqjes së investitorëve të huaj. Ne e kemi dërguar si listë, i kemi identifikuar si asete, janë dërguar në Qeveri edhe në bashkëpunim me ta jemi duke gjetur mënyrën qysh do t’i nënshtrohen privatizimit”, u shpreh Tolaj për Ekonomia Online.
Tolaj foli edhe për sfidat që ka AKP-ja, ku tha se si institucion, janë të varur nga veprimet dhe institucionet tjera. Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, sipas Tolajt, imponon edhe dinamikën e AKP-së.
“Sfida kryesore që ka AKP-ja është varshmëria nga institucionet e tjera. Jemi të varur nga veprimet e institucioneve të tjera, filluar nga gjykatat, posaçërisht Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme imponon edhe dinamikën tonë. Ka shumë ankesa që bëhen dhe ne jemi të varur prej dinamikës së gjykatës, nuk mund të veprojmë pa vendime gjyqësore të formës së prerë. Vonesat shkaktohen edhe në procesin e privatizimit dhe transformimit të pronës në tërësi”, tha ai.
Pavarësisht sfidave totali i fondit të privatizimit ka arritur në 800 milionë euro, në të gjitha periudhat. Sipas drejtorit Menaxhues të AKP-së, vetëm vitin e kaluar i janë kaluar buxhetit të Kosovës, rreth 43 milionë euro.
“Që kur ka filluar procesi i privatizimit, nga qiratë dhe të hyrat tjera që ne i kalkulojmë, totali i fondit të privatizimit ka qenë diku rreth 800 milionë euro. Prej tyre, një pjesë e madhe janë shpërndarë për punëtorët, ajo që njihet në publik si 20-përqindëshi, diku mbi 125 milionë euro janë shpërndarë te punëtorët. Deri tani, një pjesë e fondit i është dedikuar buxhetit të Kosovës. Në bazë të Ligjit për AKP-në, fondet tepricë sikur i quajmë, diku rreth 220 milionë euro janë transferuar në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Flas në të gjitha periudhat prej themelimit të agjencisë e deri tani. Vetëm vitin e fundit, ose flasim para më shumë se një muaji, ne i kemi kaluar buxhetit të konsoliduar praktikisht rreth 43 milionë euro”, u shpreh Tolaj për Ekonomia Online.
INTERVISTA E PLOTË:
EO: Flasim në tërësi për AKP-në, ju si e keni gjetur këtë institucion?
Tolaj: Institucion stabil me një staf të mrekullueshëm edhe profesional mund të them. Krejt çka ka mbetur këtu është ta ruajmë kontinuitetin dhe ta ruajmë agjencinë me rutinën e saj të përditshme dhe rritjen e dinamikës në përgjithësi. Është përtej pritjeve të mia, të ju them të drejtën, dhe e kam gjetur një staf të mrekullueshëm dhe me përvojë shumë të madhe dhe me eksperiencë të mjaftueshme me gjithë atë që kanë bërë deri tash dhe me punën që po vazhdojmë ta bëjmë bashkë.
EO: Sa është privatizuar nga ndërmarrjet shoqërore deri më tani dhe sa kanë mbetur pa u privatizuar?
Tolaj: Me thanë në përqindje duket shifër mjaft e lartë nëse i kalkulojmë në bazë të aseteve, sikur i quajmë ne. Që nga fillimi i themelimit të agjencisë, AKP ka identifikuar 584 ndërmarrje shoqërore që kanë pasur një posedim apo prona të tyre 3870 asete. Prej tyre, 1670 asete vetëm se janë privatizuar, janë shndërruar në prona private apo publike. Diferenca mes pronës publike dhe shoqërore është shumë e madhe që ta kemi të qartë; kanë mbetur diku rreth 2100 asete të cilat janë të paprivatizuara, e shprehur në përqindje janë 57% e aseteve në total. Për shkak korrektësisë me publikun duhet të theksojmë se asetet me vlerë vetëm se janë trajtuar ma herët edhe nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, dhe ne AKP-ja si trashëgimtare e saj; kryesisht më herët kanë qenë ndërmarrjet e mëdha të cilat kanë pasur edhe impakt në zhvillimin ekonomik. Kanë mbetur më shumë asete, por që nuk janë me vlera shumë të mëdha. Megjithatë ka mjaftueshëm asete te cilat ne po tentojmë t’i transformojmë dhe të jemi kontribuues ose të kemi impakt në zhvillimin ekonomik të vendit.
EO: Tek ato asete që kanë mbetur pa u privatizuar ose kthyer në pronësi të shtetit, cilat jenë sfidat me të cilat ballafaqohet AKP-ja?
Tolaj: Sfidat janë të përditshme nuk dallojnë prej institucioneve të tjera. Kemi të bëjmë me prona shoqërore dhe aty ku ka çështje pronësore, ndjeshmëria është shumë e lartë. Problemet janë te shumta, sfida kryesore që ka AKP-ja është varshmëria nga institucionet e tjera. Jemi të varur nga veprimet e institucioneve të tjera, filluar nga gjykatat, posaçërisht Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme imponon edhe dinamikën tonë. Ka shumë ankesa që bëhen dhe ne jemi të varur prej dinamikës së gjykatës, nuk mund të veprojmë pa vendime gjyqësore të formës së prerë. Vonesat shkaktohen edhe në procesin e privatizimit dhe transformimit të pronës në tërësi. Pastaj është bashkëpunimi me institucione të tjera, me komunat, po ashtu dhe me qeverinë. Kryesisht komunat janë më shumë dhe kemi një ballafaqim më të shpeshtë me ta për shkak se të gjithë dokumentacioni gjatë fazës së përgatitjes të shitjeve që ne i quajmë me likuidim, i gjithë dokumentacioni duhet nxjerrë nëpër komuna, konkretisht nëpër drejtoritë e kadastrave. Për neve është sfidë bashkëpunimi me ta, për çka i falënderojmë për bashkëpunimin deri më tani; dhe po bëjmë përpjekje të rrisim dinamikën e bashkëpunimit me komuna edhe të përshpejtojmë sa më shpejtë transformimin e pronës nga shoqërore në publike. Prona shoqërore është pothuajse e askujt, sa më shpejt që të transformohet ka impakt më të madh në zhvillimin ekonomik.
EO: Nëse flasim për rastet në Gjykata që ju i përmendët, z.Tolaj e dimë që ka ankesa të shumta… Sa është numri i tyre që ende kanë mbetur të pazgjidhura?
Tolaj: Sado që ne nuk jemi të thirrur të japim statistika të gjykatës, çka ne e dimë është që aty janë rreth 23 mijë lëndë të ndryshme që duhet të trajtohen. Fatkeqësisht, Gjykata është jofunksionale, përveç rasteve ose çështjet procedurale… Ligji për Dhomën e Posaçme është në parlament dhe ne presim me padurim që të votohet ai ligj në Parlament, që Gjykata të jetë plotësisht funksionale. Trajtimi i gjithë atyre kërkesave kërkon kohë, kuptohet. Shpresojmë që dinamika e gjykatës të jetë shumë më e madhe në mënyrë që të mbërrijmë edhe ne të realizojmë misionin tonë si Agjenci Kosovare e Privatizimit. Nga informatat që i kemi, apo premtimet që i kemi, ligji në parlament do të kalojë shumë shpejt dhe Gjykata, Dhoma e Posaçme që do të lidhet ekskluzivisht me çështjet e privatizimit e gjykatës supreme të jetë funksionale dhe të fillojë punën, trajtimin e lëndëve kërkesave të ndryshme që janë në gjykatë.
EO: Z.Tolaj sa është fondi akumuluar i privatizimit dhe si mund të shfrytëzohen këto para më mirë?
Tolaj: Që kur ka filluar procesi i privatizimit, nga qiratë dhe të hyrat tjera që ne i kalkulojmë, totali i fondit të privatizimit ka qenë diku rreth 800 milionë euro. Prej tyre, një pjesë e madhe janë shpërndarë për punëtorët, ajo që njihet në publik si 20-përqindëshi, diku mbi 125 milionë euro janë shpërndarë te punëtorët.
Deri tani, një pjesë e fondit i është dedikuar buxhetit të Kosovës. Në bazë të Ligjit për AKP-në, fondet tepricë sikur i quajmë, diku rreth 220 milionë euro janë transferuar në buxhetin e konsoliduar të Kosovës. Flas në të gjitha periudhat prej themelimit të agjencisë e deri tani. Vetëm vitin e fundit, ose flasim para më shumë se një muaji, ne i kemi kaluar buxhetit të konsoliduar praktikisht rreth 43 milionë euro. Planifikojmë edhe një shumë të caktuar, dyfishin e kësaj, të kalojë në buxhetin e konsoliduar. Por, ato mbesin në menaxhimin e AKP-së, si fonde në mirëbesim, pasi ka kërkesa kreditore dhe ne nuk guxojmë të biem nën limitin e saj. AKP-së i mbesin nën menaxhim rreth 350 milionë euro… Ky është totali i akumulimeve, shpërndarjeve dhe fondeve të mbetura, të cilat kanë dedikim të caktuar presin vendime finale të gjykatave, në mënyrë që të bëhet edhe shpërndarja e tyre konform atyre vendimeve.
EO: Sa janë pritshmëritë për vitin 2019, sa para mund të mblidhen?
Tolaj: Është tepër vështirë të bëjmë matje, për shkak se të gjitha shitjeve e pronave që AKP-ja i bën përmes shpalljeve, apo përmes shitjeve në likuidim, i nënshtrohen procesit publik të ofertimeve dhe është e pamundshme për neve kalkulimi i pritjeve se sa do të ketë shitje. Krejt varet nga asetet, sa janë atraktive për njerëzit, bizneset, qytetarët apo investitorët e ndryshëm dhe ofertave që ata i bëjnë. Krejt varet nga ofertimet.
Dorën në zemër, ne kemi pak shqetësim për shkak se ka rënë fuqia blerëse, vërehet tek ne në AKP. Ka rënë pak interesimi. Ne jemi duke shikuar mundësi që të rritim marketingun pak, ose të provojmë metoda alternative, sesi t’i bëjmë asetet tona sa më atraktive dhe tërheqjen e vëmendjes së investitorëve potencialë.
Së shpejti planifikoj të arrij një bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe të ndërtojmë dhe të bëjmë një kampanjë që i dedikohet vetëm diasporës. Jam i bindur se ka mjaftueshëm qytetarë të Kosovës që jetojnë në diasporë dhe që kanë interesim të madh për të pasur prona në Kosovë po që informatën e kanë shumë të vogël. Sado që kemi tentuar, sado që Agjencia ka qenë transparente përmes publikimeve të ndryshme periodike, ka hapësirë të mjaftueshme për një kampanjë, për një ofertë që ne ta ndërtojmë për diasporën tonë, në mënyrë që të tërheqim investitorë potencialë për të hyrë në vendin e tyre.
EO: Pse mendoni se kanë ka rënë fuqia blerëse?
Tolaj: Edhe mund të jetë mosinformimi i duhur, por është edhe sa asetet janë atraktive, kjo ka rëndësi shumë. Mund të jetë shkak i interesimeve dhe i rrethanave ekonomike e që ne nuk kemi matje ose analiza, kështu që për mua do të ishte spekulim. Por jemi në fazën e identifikimit të metodave të rritjes së interesimit nga palët e ndryshme dhe nga blerës të ndryshëm që të rritet shitja dhe të përfundohet transformimi i pronës. AKP-ja ka vetëm një mision: transformimin sa më të shpejtë dhe likuidimin e pronës dhe ndërmarrjeve shoqërore. 85 për qind të ndërmarrjeve që kemi në administrim janë në likuidim. Është e pamundshme të bëhet mbyllja ose përmbyllja e procesit të likuidimit, nëse ka mbetur qoftë edhe një aset i vetëm i një ndërmarrjeje shoqërore. Në këtë funksion duhet të gjejmë rrugë që të përshpejtojmë edhe dinamikën e shitjeve, transformimin e pronës, në mënyrë që të bëhet përmbyllja dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit ta kryejë mision e saj dhe të mbyllet faktikisht si institucion.
EO: Z.Tolaj, një nga problemet me të cilat është përballur AKP-ja kanë qenë kërkesat për 20-përqindëshin nga punëtorët. Si është situata aktualisht?
Tolaj: E potencova më herët deri tash rreth 126 milionë euro janë shpërndarë tek punëtorët ose ish-punëtorët. Kjo është e përcaktuar me ligj, çdo shitje që realizohet, 20 për qind shkon për punëtorët. Megjithatë sfidë për ne prapë dalin gjykatat, sepse listat e 20-përqindëshit në momente qe publikohen prapë iu nënshtrohen ankesave nga palët e ndryshme. Ankesat shkojnë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe bllokimi i gjykatës prapë na e pamundëson neve shpërndarjen e 20-përqindëshit. Në praktikë për me e thjeshtësua mund të ndodhë që një ankesë bënë vonesën e shpërndarjes për 100 punëtorë, kështu që neve nuk na bënë me u ndi mirë, por jemi të obliguam me ligj. Shpeshherë punëtorët edhe nuk e kuptojnë arsyen e vonesave së shpërndarjes së 20-përqindëshit. Deri tash nuk ka pasur probleme shumë të mëdha. Këto vonesa nuk të bëjnë me u ndi komod, as mu si drejtor menaxhues dhe asnjë punëtor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, po megjithatë jemi të detyruar t’i nënshtrohemi ligjit. Kohëve të fundit kemi një funksionalizim më të mirë, duke filluar nga publikimi i listave. Vetëm këtë vit janë bërë rreth 7 milion euro shpërndarje të 20 përqindëshit për punëtorët edhe janë në përgatitje rreth 14 milionë euro të tjera, të cilat duhet të shpërndahen në momentin që kemi vendime finale të Dhomës së Posaçme si gjykatë që është e dedikuar për AKP-në.
EO: Të flasim për ndërmarrjet e mëdha, si hoteli “Grand”, pastaj Miniera e Goleshit, për të cilat ka pasur probleme. Çfarë do të bëhet ose cilat janë planet për këto ndërmarrje?
Tolaj: Hoteli “Grand” është një nga asetet që ne e quajmë strategjike; po ashtu miniera e Goleshit e Strezovcit, janë disa asete prona bujqësore që janë të mëdha, dhe për të cilat ne i kemi identifikuar dhe i quajmë si asete strategjike. Të gjitha janë thuajse të gatshme për privatizim. Ajo që e ka frenuar Agjencinë Kosovare e Privatizimit është një marrëveshje me Qeverinë, e cila ka ndodhur vitin e kaluar, dhe tani këto asete i nënshtrohen listës potenciale të shitjes ose privatizimit të tyre përmes Ligjit të Investime Strategjike. Është një dakordancë ndërmjet Agjencisë dhe Qeverisë, shihet si një mundësi për shkak të kapacitet më të madh që ka Qeveria të tërheqjes së investitorëve të huaj. Ne e kemi dërguar si listë, i kemi identifikuar si asete, janë dërguar në Qeveri edhe në bashkëpunim me ta jemi duke gjetur mënyrën qysh do t’i nënshtrohen privatizimit.
Nëse Qeveria deklaron se për një aset të caktuar, përfshirë “Grandin”, nuk ka interesim të trajtimit të saj përmes Ligjit për Investime Strategjike, AKP-ja është e gatshme që aseti t’i nënshtrohet privatizimit përmes procedurës së shitjes me likuidim. Njëjtë është edhe Miniera e Goleshit dhe asetet e tjera nuk kanë probleme ligjore, të cilat mund të jenë pengesë e privatizimit transformimin e pronës. Duhet të jemi falënderues, jemi bashkërisht me mbështetjen e Ambasadës së Gjermanisë dhe organizatës GIZ, duke punuar një studim fizibiliteti dhe shpresojmë që përfundimi i atij studimi është shpërndarja apo paraqitja e tyre tek investitorët gjermanë dhe evropianë, duke e rritur interesimin më shumë nga investitorët potencialë që dëshirojnë të investojnë në miniera në Kosovë.
EO: Z. Tolaj, desha të ju pyes në lidhje me Ligjin për Banesa. E dimë që kanë mbetur shumë çështje të pazgjidhura për shkak të afateve të zgjatura ligjore?
Tolaj: Procesi i shitjeve të banesave nuk ndodhë përmes AKP-së. Janë shume institucione që trajtojnë çështjen e banesave që e kanë pasur të drejtën e shfrytëzimit për një periudhe të gjatë kohore. Është e vërtetë që një numër i caktuar janë të jashtëafatshme, dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm në AKP, kjo është vërejtur te shumë institucione të tjera. Me gjasë nuk është mbërritur të shkojë deri te palët të cilat shfrytëzojnë banesat e caktuara, të cilat kanë qenë në pronësi shoqërore, ndërmarrjeve shoqërore edhe si pasojë e kësaj njerëzit janë vonuar në kërkesa. Pastaj ka ndodhur një iniciativë ligjore nga Qeveria dhe me sa kam informatë Qeveria ka sponsorizuar edhe një ligj dhe ligji shkon në parlament dhe i jepet edhe një afat i caktuar kohor, iu jepet një mundësi njerëzve të bëjnë kërkesa për transformimin e pronës atë pronë të cilën e kanë shfrytëzuar tre vjet apo më shumë, të bëhet punë e tyre. Nga informatat që unë kam, janë në total 3 mijë banesa, por prej AKP-së nuk trajtohen më shumë se 300 për shkak se janë të shpërndara në institucione të ndryshme.
Ne i trajtojmë të gjitha kërkesat, edhe ato të jashtëafatshme, i bëjmë gati dokumentacionin në mënyrë që ne momentin që aprovohet ligji apo të jepen afate shtesë përmes ligjit për qytetarët, ne të jemi të gatshëm të bëjmë ftesë të qytetarëve që t’i plotësojnë dokumentet e nevojshme në mënyrë që sa më shpejtë të përfundojë transformimi i pronës. Sa ma shpejt të transformohen pronat shoqërore është aq më mirë. Rreziku potencial që të ndodh abuzimi me pronat shoqërore është shumë i madh dhe sa më shumë që të shtyhet transfomimi i pronave aq më problematike bëhen pastaj privatizimi apo shitja e tyre. Domethënë kjo është e shëndetshme.
Shumë shoqëri të tjera, shumë shtete, e kanë përfunduar me kohë këtë transformim, ne ende jemi në proces. Ka konteste gjyqësore që zgjasin me vite, ndoshta 10 – 15 vjet, por të paktën këto të cilat janë në qartësi ligjore, obligim yni është të që të përfundojnë sa më shpejt që është e mundur.
EO: Të flasim për objektin e AKP-së, shihet se kushtet këtu nuk janë shumë të mira. A pritet të zhvendoseni ndoshta në një objekt të ri me kushte më të mira për të gjithë?
Tolaj: Një fakt që më ka habitur në momentin që e kam marrë mandatin në AKP ka qenë objekti. Pyetja e parë që e kam bërë ka qenë si është e mundur që AKP-ja administron të gjitha ndërmarrjet shoqërore në Kosovë, dhe të gjitha objektet që kanë status shoqëror në Kosovë, dhe vetë është e vendosur në një ambient, i cili të them të drejtën, vetëm ambient pune nuk është.
Një ndër vendimet e para që kam marrë ka qenë lëvizja, vendimi për të lëvizur nga ky objekt. Fatmirësisht kemi hasur në mirëkuptim te Ministria e Administratës Publike dhe në bashkëpunim me ta po shpresojmë që shumë shpejt do të lëvizim diku ka fundi i vitit planifikohet për shkak të një renovimi të një objekti shoqëror. Ideja ime ka qenë mos të lëvizim në objekte private me qira, përderisa ekziston prona publike që të shmangin pagesën e qirave apo keqkuptimeve të ndryshme. E ndjej obligim, si drejtorë menaxhues që të jem në shërbim të komplet stafit të agjencisë, sepse vendi ku punojmë është me të vërtetë i keq.
Vetëm kushte për punë këtu nuk ka. Edhe këtu kemi punuar me përkushtim deri më tash, por me padurim po presim lëvizjen në një ambient sado komod për ne. Kudo që të lëvizim është më mirë se këtu.
EO: Kur mund të ndodhë kjo?
Tolaj: Ne presim nga fundi i vitit, varësisht procedurave të renovimit nga Ministria e Administratës Publike dhe shpresojmë që këtë vend ta lirojmë. Edhe ashtu, kjo hapësirë është e Komunës së Prishtinës. Komuna shpeshherë bën presion për lirimin e kësaj hapësire. Nuk ka qenë në vullnetin tonë, ndoshta nuk ka qenë as në mundësinë e ish menaxhmentit, nuk dua ta fajësoj askënd pse kanë mbetur këtu. Kryesorja zgjidhjen e kemi gjetur edhe shpresoj që shumë shpejt të lëvizim dhe të kemi edhe ne një hapësirë pak më të mirë për punë.