Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka komentuar aktin e deputetit të PD-së, Edi Paloka i cili një javë më parë spërkati me bojë kryeministrin Edi Rama në sallën e seancave plenare. Ajo është pyetur nga fëmijët e programit “Në kurthin e Piter Pan” në Tv Klan për këtë ngjarje. Topalli tha se kjo ishte një ngjarje e shëmtuar.
“Unë jam e bindur që në parlamentin e fëmijëve nuk ndodhin kurrë gjëra të tilla. Parlamenti është tempulli i demokracisë dhe nuk thuhen gjëra të papranueshme dhe nuk bëhen gjëra të papranueshme” – tha Topalli.
Ajo u pyet edhe se si ndihet tashmë që është jashtë politikës.
“Kjo është pyetja më e vështirë. Është më mirë që jam sonte me ty këtu dhe me këta fëmijë të mrekullueshëm sesa diku tjetër” – e kaloi Topalli me një batutë.
“Unë do të doja të kishim një parlament me të rinj dhe të reja të talentuar që i përkushtohen interesit të përgjithshëm dhe jo atij personal. Nuk është e thjeshtë” – tha ajo.