Mbi 700 intervenime kirurgjikale ka arritur t’i kryejë këtë vit Kirurgjia Torakale, e cila tash e sa kohë funksionon me vetëm një sallë operative. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, Nazmi Kolgeci, drejtor i klinikës.
Edhe pse operojnë me vetëm një sallë operative, Kolgeci ka thënë se kanë arritur t’i përmbushin objektivat e tyre, ndonëse operacionet në këtë klinikë zgjasin me orë të tëra.
“Viti 2024 ka qenë ka qenë një vit me shumë sfida për neve por megjithatë falë bashkëpunimit që e kemi pasur edhe me kolegë e me stafin e mesëm, ne kemi arritur t’i përmbushim të gjitha ato objektiva tona që i kemi pasur për këtë vit. Ne kemi vetëm një sallë të operacionit dhe me këtë sallë të operacionit i mbulojmë të gjithë qytetarët e Republikës që kanë nevojë për Kirurgjinë Torakale, ndërsa për vitin e ardhshëm presim që të kemi edhe sallën e dytë. Marrë parasysh që vetëm një sallë të operacionit, ne kemi arritur t’i përmbushim të gjitha objektivat tona, pavarësisht se tek ne vetëm një herë në ditë mundet me u realizua vetëm një operacion, për shkak se operacionet tona zgjasin shumë”, ka thënë Kolgeci.
Kolgeci ka thënë se këtë vit, kanë kryer 542 operacione, ndërsa 194 intervenime kirurgjike me anestezion lokal.
“Për këtë vit ka qenë 542 operacione, salla e vogël është 194 operacione që është edhe intervenim kirurgjik por kryhet me anestezion lokal. Në intervenimet tjera kirurgjike që i kemi pas për diagnostikimin e kancerit të gjirit është 135 e që neve na ka lehtësuar shumë punën sepse në të kaluarën këto intervenime janë bërë në sallën e vogël, ndërsa tani bëhet me CNB (ku merret një mostër indi nga gjiri), neve na lehtëson sepse me një intervenim të vogël kirurgjik ose me një gjilpërë ne arrijmë që të marrim mostra dhe ta dërgojmë për patologji”, u shpreh Kolegci, teksa tregon edhe për intervenime tjera që i kanë kryer në këtë vit.
“Ne kemi realizuar edhe bronoskopi që është në numër 33 intervenime por që numri i tyre është i vogël për arsye se ne kemi qenë gjashtë muaj në renovime dhe nuk kemi pasur mundësi që të hapim sallën e intervenimeve për bronkoskopi. Gjithashtu kemi pasur edhe 234 intervenime me ultrazë, që kanë qenë kryesisht të gjirit dhe mushkërive dhe në përgjithësi numri i vizitave në ambulancë specialistike është 3600 dhe drenazhe torakale janë kryer 475”.
Kolgeci ka thënë se prioritet për vitin e ardhshëm e kanë funksionalizimin e sallës së dytë dhe renovimin e repartit të Torakales.
“Prioritet për neve gjithmonë ka qenë shëndeti i pacientit, por prioritet që e planifikojmë për vitin e ardhshëm ka me qenë salla e dytë operative që ka me zvogëlua komplet listën e pritjes për intervenime kirurgjike, dhe prioritet tjetër e kemi pas edhe renovimin e repartit tonë, sepse ka mbet akoma pa u renovuar, meqenëse pjesa tjetër e Kirurgjisë e Urologjisë që jemi afër, ata e kanë bërë renovimin dhe është bërë një dukje krejt tjetër nëse e krahasojmë me klinikën tonë, atëherë mendoj që duhet të bëhet diçka në këtë drejtim dhe po besoj se Ministria e Shëndetësisë dhe menaxhmenti i ShSKUK-së e kanë parasysh dhe po besoj se vitin e ardhshëm do të bëjnë intervenime”, ka deklaruar Kolgeci.