Tottenhami do të organizojë seanca stërvitore nëpërmjet video-lidhjes

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Trajneri portugez i Tottenhamit, Jose Mourinho dhe stafi i tij i trajnerëve, do të fillojnë mbajtjen e seancave stërvitore nga sot. Lojtarët do të ushtrojnë nga shtëpia, por do të lidhen të gjithë direkt me anë të video-lidhjes, shkruan agjencia Reuters, transmeton Koha.net.

Lojtarët e Tottenhamit janë në vetëizolim dhe Premier League është pezulluar deri më 30 prill së paku.

Lojtarët deri më tash kanë punuar nëpërmjet programit stërvitor individual që është caktuar nga trajnerët dhe ekipet e shkencave sportive.

Mesfushori i Anglisë, Harry Winks ka thënë se ende po adaptohen me rutinën e re.

“Është pak e çuditshme për të gjithë ne. Ne të gjithëve na është dhënë një plan për ushtrime, por mund ta bëjmë atë kur të duam. Me rëndësi është të përfundojmë ato”, ka thënë Winks për faqen zyrtare të klubit.

Të dielën, klubi ka njoftuar se i ka dhënë leje Steve Bergwijnit dhe Son Heung-minit që të kthehen në vendlindje për shkaqe personale.

Po të dielën krerët e Tottenhamit kanë marrë një goditje pasi ylli Harry Kane në një intervistë ka thënë se nuk mund të garantojë se do të qëndrojë gjatë në klub.

“Unë gjithmonë kam thënë se nëse ndjej se skuadra nuk po përparon apo nuk po shkon në drejtimin e duhur, atëherë nuk do të qëndroj vetëm për hatër. Unë jam lojtar ambicioz, dua të përmirësohem. Dua të bëhem top lojtar, kështu që e gjitha varet se si përparon skuadra. Kështu që nuk do të them që do të qëndrojë përgjithmonë këtu”, tha Kane.

Të ngjashme