Legjenda e Romës, Francesco Totti, ka zbuluar së fundi se po ta kishte filluar tani karrierën e tij si futbollist, ai do ta kishte pasur shumë të vështirë të luante për Romën e sotshme.
Fituesi i Kupës së Botës e filloi dhe e përfundoi karrierën e tij me verdhekuqtë, mirëpo e pranoi se do ta kishte një histori të ndryshme të karrierës nëse ai do të ishte në kulmin e karrierës këtë vit, transmeton Gazeta Express.
“Sot, një Totti i ri s’mund të kishte luajtur në Romë. Ai do të ishte shitur tashmë nga klubi. Ai do ta kishte pasur shumë të vështirë të qëndronte në Romë për një kohë më të gjatë”, ka thënë Totti.
Totti e luajti ndeshjen e tij të fundit për Romën më 28 maj të vitit 2017 dhe ai ka qenë duke punuar në prapaskenat e futbollit që kur i dha fund karrierës si futbollist.
Tani, ai është i gatshëm ta fillojë një aventurë të re në karrierën e tij dhe e zbuloi qëllimin e tij kur u pyet për të ardhmen e tij si agjent i lojtarëve.
“Do të më pëlqente të isha skaut për lojtarët e rinj. Edhe në akademinë time të futbollit, unë mezi po pres të shoh nëse mund ta gjej ndonjë lojtar me talent dhe premtues për të ardhmen”.