Gjiganti japonez i makinave Toyota ka konfirmuar një tërheqje nga tregu të më shumë se 2.4 milionë automjeteve hibride në mbarë botën për shkak të një defekti në sistemet e tyre që mund të shkaktojë humbjen e fuqisë së veturave.
Rikthimi i modeleve Prius dhe Auris përfshin 1.25 milionë vetura në Japoni, 830 mijë në Amerikën e Veriut dhe 290 mijë në Europë, nga të cilat 55 mijë janë në Britani të Madhe.
Të gjitha modelet e prekura nga ky defekt janë të prodhuar mes tetorit të vitit 2008 dhe nentorit 2014, ndërsa nuk raportohet për ndonjë aksident të shkaktuar nga ky problem.
Një zëdhënës i Toyotas tha se problemi do të zgjidhej me anë të një përmirësimi të softuerit që do të zgjaste rreth 40 minuta.
Në vitet e fundit, Toyota ka tërhequr nga tregu një numër të madh të makinave për arsye të ndryshme, duke përfshirë edhe sistemin “airbag”.
Në vitin 2015, kompania riktheu 6.5 milionë automjete në mbarë botën pas një defekti në çelësin e dritareve.