“T’padashtun” në pritje të buxhetit për fushatën drejt “Oscarit”

Prishtinë | 20 Tet 2017 | 16:45 | Nga

Kosova ende nuk ka nisur promovimin e propozimit të saj për çmimin “Oscar”. Përderisa ka kaluar më shumë se një muaj qëkur është vendosur që filmi “T’padashtun” me regji të Edon Rizvanollit të jetë propozimi i shtetit për nominim në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, Qendra Kinematografike e Kosovës ende nuk e di se cila do të jetë shuma me të cilën do ta mbështesë fushatën drejt çmimit të madh, shkruan Koha Ditore.

QKK-ja llogarit që në fund të këtij muaji të ndajë buxhetin përderisa lista e ngushtë në këtë kategori shpallet në fund të vitit, për t’i shpallur pesë të nominuarit në fillim të 2018-s. Ceremonia e 90-të e “Academy Awards” mbahet më 4 mars të vitit që vjen.

Për fushatën e “T’padashtun” pritet që shuma përkrahëse të jetë rreth 20 mijë euro, përderisa kësisoj QKK-ja do ta vazhdonte traditën duke ndarë këtë shumë mjetesh për promovimin e filmave siç ka bërë edhe viteve të kaluara. E sipas ekipit të filmit, sa më herët që nis promovimi gjasat për nominim do të ishin më të mëdha.

Vesa Qena, zyrtare për informim në QKK, ka thënë se në fund të muajit tetor finalizohet buxheti i cili do të përdoret për kampanjë dhe promovim të filmit ‘T’padashtun” për “Oscars”.

Vitin e kaluar ekipi i filmit “Home Sweet Home”, që ka qenë propozimi i Kosovës për “Oscar”, ishte ankuar se me 20 mijë euro s’kishte mundur ta realizonte fushatën dhe se për një të tillë duhen së paku 100 mijë euro. Gjysma e planeve për fushatë në mungesë buxheti kishin rënë në ujë

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme