Trafikimi me kanabis ka shënuar rritje, e cila po paraqitet shqetësuese për institucionet e sigurisë në vend. Vetëm sivjet, Policia e Kosovës ka konfiskuar 699 kg kanabis, ndërkohë janë shkatërruar 15 grupe kriminale. Po ashtu, janë konfiskuar rreth 88 gram heroinë.
Kështu ka thënë Toger Bajram Nuhiu gjatë seminarit dy ditorë me temën “Zvogëlimi i ofertës dhe furnizimit me drogë”, që është organizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës dhe OSBE-së.
Nuhiu ndër të tjera tha se në Kosovë ka rënë trafikimi i heroinës dhe se ka mungesë të madhe në treg, pasi që trafikantët nuk po përdorin më rrugën ballkanike, por po shfrytëzojnë rrugë të tjera, kryesisht përmes detit.
Drejtori i Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, tha se objektivi kryesorë i tyre është luftimi i korrupsionit dhe terrorizmit, por që në kuadër të luftimi të krimit të organizuar hyn edhe parandalimi dhe luftimi me narkotikë.
“Rezultatet tona fal bashkëpunimit ndërinstitucional, ngritjes së kapaciteteve që kemi bërë me të gjitha institucionet në Kosovë, por edhe jashtë kemi rezultate të mira. Sipas statistikave kemi rritje të kualitetit të punës në përgjithësi të institucionit të zbatimit të ligjit, por edhe të institucioneve tjera”, ka thënë Shillova.
“Bashkimi ndërinstitucional ndërkombëtar është një nga prioritetet që kemi në këtë fushë. Ky bashkëpunim është avancuar pas miratimit të strategjive nacionale që i kemi dhe ndërtimit të mekanizmit ndërinstitucional për trajtimin e dukurive që i kemi, por ky bashkëpunim ka qenë që të shtrihet edhe me shoqërinë civile dhe organizatat tjera që kemi në këtë fushë. Synojmë që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë akoma më shumë”, ka thënë ai.