Trafikonin njerëz drejt Anglisë, në pranga 15 shqiptarë

Prishtinë | 27 Sht 2019 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

15 shtetas shqiptarë të akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore drejt Anglisë u arrestuan në vazhdën e një operacioni intensiv mes Belgjikës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në një hotel, që shërbente si vendqëndrim i klandestinëve, u zbuluan edhe 37 shtetas të tjerë, që prisnin të kalonin kufirin anglez.

Një operacion i koordinuar nga tri shtete europiane, siç transmeton oranews, ka çuar në arrestimin e 15 shtetasve shqiptarë, të akuzuar për trafikim dhe kontrabandim të qenieve njerëzore.

Policia federale belge njoftoi se banda e trafikantëve dërgonte klandestinë shqiptarë për në Mbretërinë e Bashkuar.

Transporti bëhej përmes automobilëve të modifikuar për të mbajtur fshehur disa persona, ose nëpërmjet kamionëve në marrëveshje me shoferë të huaj.

12 prej autorëve u arrestuan në Belgjikë në data 23, 24 dhe 25 shtator, ndërsa dy të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar dhe i fundit në Gjermani, pasi ndaj tyre ishin lëshuar fletarreste europiane.

Organizatori i trafikut raportohet të jetë një shtetas shqiptar i moshës 29 vjeç, identiteti i të cilit nuk bëhet i njohur.

Ndërkohë në një hotel afër portit belg të Gentit, që shërbente si vendqëndrim, autoritetet zbuluan edhe 37 klandestinë që prisnin të kalonin kufirin britanik.

Në posedimin e autorëve u gjetën katër automjete dhe një sasi e vogël hashashi.

Tre prej të dyshuarve pritet të ekstradohen në Belgjikë për t’u përballur me drejtësinë, ndërkohë nga 12 personat e arrestuar ditët e fundit, 5 prej tyre janë paraburgosur dhe 7 të tjerë janë liruar me kusht.

Të ngjashme