Mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Zarës në Kroaci njoftuan mbi gjendjen e katër fëmijëve të cilët babai i tyre, sot rreth orës shtatë të mëngjesit i hodhi nga ballkoni i shtëpisë së tyre, nga një lartësi prej gjashtë metrash.
Sipas mjekëve vajza shtatë-vjeçare është në gjendje kritike ndërsa dy vajzat tjera dhe djali janë në gjendje të qëndrueshme.
Sot në mëngjes në repartin e trajtimit intensiv të spitalit të Zarës me lëndime serioze u pranuan tri vajza të moshës pesë, shtatë dhe tetë vjeçare dhe një djalë tre vjeçar.
Vajza 7-vjeçare ka pësuar më së keqi, ka disa lëndime në kokë dhe krahëror dhe është vendosur në ventilim mekanik ndërsa gjendja e saj vazhdon të mos jetë e qëndrueshme, shkruan Anadolu Agency përcjellë Klan Kosova.
Nëna e 4 fëmijëve ka ardhur në spitalin e Zarës e shoqëruar nga shërbimi social për të parë gjendjen e fëmijëve ndërsa babai është marrë në pyetje për të konstatuar rrethanat e krimit, njoftoi policia e Zarës.
Ministrja e Demografisë, Familjes, Rinisë dhe Çështjeve Sociale, Nada Murganiç njoftoi se sot do të shkojë në Pag personalisht për të mësuar nga afër rreth rastit.
Ajo konfirmoi se kjo është një familje që u shpërngul në Viroviticë nga Pag, ndërkaq sot rastin e komentoi edhe kryeministri Andrej Plenkoviç, duke thënë se ky ishte një akt monstruoz i paparë ndonjëherë.