Tragjedi në Ugandë: Aksidentohet autobusi, vdesin 20 nxënës

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Njëzet nxënës humbën jetën pasi autobusi me të cilin po ktheheshin nga një ekskursion edukativ u aksidentua në lindje të Ugandës, njoftuan autoritetet.

Si pasojë e tragjedisë, qeveria e Ugandës pezulloi të premten të gjitha ekskursionet dhe udhëtimet shkollore, pasi aksidenti i ndodhur të enjten në mbrëmje mori jetën edhe të një të rrituri.

Sipas zyrtarëve, tre të rritur të tjerë dhe më shumë se një duzinë fëmijësh mbetën të plagosur, shkruan Al Jazeera.

Policia e Ugandës bëri të ditur se autobusi i shkollës King David Junior School po kthehej drejt kryeqytetit Kampala, pas një vizite në ujëvarat Sipi Falls, kur ndodhi aksidenti pranë fshatit Chekwatit, në distriktin Kapchorwa.

“Hetimet paraprake tregojnë se shoferi humbi kontrollin mbi autobusin, i cili doli nga rruga dhe u përmbys pasi goditi një gur të madh”, deklaroi Policia e Ugandës.

Ministri i Pushtetit Lokal, Balaam Barugahara Ateenyi, tha se “më shumë se 28 fëmijë po trajtohen në spitale, ndërsa nëntë prej tyre ndodhen në gjendje kritike”.

Autoritetet ende nuk kanë publikuar emrat apo moshat e fëmijëve që humbën jetën. Sipas tyre, i rrituri që vdiq besohet të ketë qenë themeluesi dhe drejtuesi i shkollës.

Pamjet e publikuara nga Kryqi i Kuq i Ugandës tregojnë se banorët e zonës mbërritën të parët në vendngjarje dhe nisën nxjerrjen e viktimave nga autobusi i shkatërruar, ndërsa disa të mbijetuar u transportuan drejt spitaleve, transmeton Klankosova.tv.

Fshati ku ndodhi aksidenti ndodhet pranë kufirit mes Ugandës dhe Kenias, rreth 300 kilometra nga Kampala.

Pas ngjarjes, qeveria ugandeze njoftoi se “të gjitha udhëtimet dhe ekskursionet shkollore pezullohen me efekt të menjëhershëm dhe deri në një njoftim të dytë”.

Uganda përballet shpesh me aksidente të rënda rrugore. Sipas Al Jazeera, rrugët e vendit konsiderohen ndër më të rrezikshmet në rajon, ndërsa aksidentet lidhen kryesisht me shpejtësinë e lartë, automjetet e mirëmbajtura dobët dhe gjendjen e keqe të infrastrukturës rrugore.

Vetëm më herët gjatë këtij muaji, 14 persona humbën jetën në një përplasje mes një autobusi dhe një kamioni në veri të Ugandës. Ndërsa në tetor, 46 persona vdiqën pasi disa automjete, përfshirë dy autobusë, u përfshinë në një aksident zinxhiror në autostradën Kampala–Gulu.

Të ngjashme