Një burrë britanik ka humbur jetën vetëm pak ditë para se të martohej, pasi ishte liruar nga spitali pas një aksidenti me motor në Azinë Juglindore.
Kyle Campbell, 32 vjeç, kishte udhëtuar drejt Tajlandës për t’u martuar me të fejuarën e tij, Kannika, por pësoi lëndime në kokë pas një përplasjeje me motor.
Ai u trajtua në spital pas aksidentit, por mjekët e liruan vetëm disa orë më vonë. Megjithatë, më 30 korrik ai u gjet i vdekur në gjumë.
Campbell la pas të fejuarën e tij, me të cilën kishte qenë në lidhje prej dy vitesh e gjysmë, si dhe djalin e tyre 12-vjeçar, shkruan Metro.
Familjarët e tij në Britani kanë ngritur dyshime për kujdesin mjekësor që ai mori pas aksidentit, duke thënë se ai mund të mos ketë marrë trajtimin e duhur. Ata kanë hapur edhe një fond mbledhjeje për të ndihmuar me kostot e kthimit të trupit të tij në atdhe.
Në ditën kur duhej të zhvillohej dasma e tyre, e fejuara e tij, Kannika, ka shkruar në Facebook se ishte e shkatërruar nga humbja.
“Lidhja jonë po shkonte shumë mirë. Do të mbetesh përgjithmonë në kujtimet e mia të bukura. Një dashuri që nuk do të zbehet kurrë, kujtime të bukura dhe një rrugëtim i gjatë me njeriun që doja”, ka shkruar ajo.